Stoltenberg pas takimit me Vuçiqin: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguria

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Stoltenberg ka thënë se situata në terren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës – me rreth 4.000 trupa – flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia e respekton misionin e KFOR-it.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur. Nuk kemi nevojë që të shohim secilën herë situatën sipas një perspektive. E respektojmë misionin e KFOR-it dhe njoftimi i tyre atë natë ka ndikuar në ulje të tensioneve”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar deklaratës së misionit të NATO-s më 31 korrik, se është i gatshëm të intervenojë nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu