Studentët e universiteteve publike në Shqipëri kanë paralajmëruar sot një protestë masive përpara Kryeministrisë në Tiranë. Ashtu sikur edhe dje, ata i bënë thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të pranishëm në këtë protestë paqësore. Rreth orës 09:00 ata u mblodhën nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve, për të pezulluar në këtë mënyrë mësimin.
Me thirrje në kor ‘plotësoni kërkesat’, ‘I duam tarifat sa Erjon Braçe’ studentët u stacionuan para Kryeministrisë, në pritje që të tjerë t’i bashkohen protestës. Pavarësisht thirrjeve, ata kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog dhe nëse nuk pranohen do të ngujohen në grevë urie. Ditën e sotme po ashtu është paralajmëruar edhe një takim në Rektorat me studentët, ndërsa nuk dihet nëse këta të fundit do të shkojnë.
Ndonëse prej 13 ditësh të rinjtë e Shqipërisë që vazhdojnë arsimin e lartë në Tiranë, dhe jo vetëm, protestojnë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur të rinjve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.










