Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka folur rreth raportimit të tij para deputetëve në Komisionin për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Sveçla tha se gjatë 13 ditëve të qëndrimit në veri për shkak të masës së reciprocitetit për targat, policia ka qenë në nivelin më të lartë të detyrës.
Ai theksoi se asnjëherë nuk do të jetë pjesë e lojërave politike.
“Puna e jashtëzakonshme dhe profesionale e Policisë së Kosovës për 13 ditë na ka bërë të gjithëve krenarë sepse 13 ditë kanë kaluar pa asnjë incident të vetëm. Të gjithë zyrtarët e Agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë në nivelin më të lartë të detyrës në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe këtë po e bëjnë çdo ditë, në ndërkohë që reciprociteti vazhdon të zbatohet me përpikmëri”.
“Punët dhe rezultatet konkrete do të kem vullnet e gadishmëri ti prezantoj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë para çdokuj që e ka interesin ti dëgjojë por asnjëherë nuk do të jem pjesë e lojërave dhe skenareve të ulëta politike”.
I pari i MPB-së shtoi se vendimi i 20 shtatorit për vendosjen e reciprocitetit me targa me Serbinë i cili pasoi me Marrëveshjen e Brukselit është zbatuar dhe vazhdon të zbatohet me përpikmëri.
“Vendimi i 20 shtatorit për vendosjen e reciprocitetit me targa me Serbinë i cili pasoi me Marrëveshjen e Brukselit është zbatuar dhe vazhdon të zbatohet me përpikmëri në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës dhe në të gjitha komunat e saj”.










