Pas takimit të liderëve të koalicionit PANA, me deklaratë ka dalë qeveria, ku ka sqaruar se çka është biseduar gjatë atij takimi të gjatë. Është bërë e ditur se janë dakorduar se do të intensifikojnë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me SHBA-të.
“Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës. Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura. Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërëndimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
***Pas mbledhjes së sotme të krerëve të koalicionit qeveritar, Klan Kosova merr vesh se liderët të cilët ishin pjesë e këtij takimi janë pajtuar që partnerët e koaliconit PDK, AAK, Nisma dhe AKR të mos ndajnë rrugët e bashkëpunimit politik.
Si rezultat, në këtë mbledhje është pranuar edhe qëndrimi i kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj sa i përket çështjes së moslargimit të taksës 100% ndaj mallrave serbe.










