Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, u takua me kryetarin e Parlamentit shqiptar, Gramoz Ruci, ku shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në takim u shpreh kënaqësi për zhvillimet pozitive në lidhje me bashkëpunimin konstruktiv, përkushtimin e demonstruar për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe fqinjësore përmes një dialogu dinamik dhe të vazhdueshëm politik në nivelin bilateral dhe multilateral.
Presidenti Pendarovski, siç informojnë nga kabineti i tij, tha në takim se fqinji ynë, Republika e Shqipërisë, është një partner i vazhdueshëm në sigurimin e prosperitetit, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit. Bashkëpunimi aktual parlamentar midis dy vendeve është konstruktiv dhe intensiv, dhe thellimi i tij kërkon intensifikimin e kontakteve midis trupave dhe komisioneve parlamentare.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se të dy vendet kanë synime identike të politikës së jashtme në lidhje me bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian, të cilat janë parakushte të rëndësishme për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
Duke falënderuar për mbështetjen e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, Presidenti Pendarovski theksoi se është shumë e rëndësishme që të dy vendet të mbështesin njëra-tjetrën në aspiratat e tyre për t’u bërë një anëtar i barabartë i Bashkimit Evropian. Përkundër faktit se vendet tona nuk kanë marrë një datë për fillimin e negociatave të pranimit në Samitin e fundit të BE, sipas Presidentit Pendarovski, angazhimi për të arritur aspiratat tona evropiane duhet të vazhdojë.
Në takim, ata diskutuan gjithashtu mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mundësitë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike.










