Taksa do hiqet nesër pas takimit Haradinaj – Merkel, bëhet publike më 1 korrik

Do hiqet taksa ndaj mallrave serbe, kjo është marrëveshja që thuhet se Merkel dhe Haradinaj do ta bëjnë gjatë ditës së nesërme, transmeton Gazeta Metro.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka udhëtuar për në Berlin, ku nesër do të takohet me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, para së gjithash për të diskutuar për raportet Kosovë-Serbi.

Taksa e vendosur për mallrat serbe, në nëntorin e vitit të kaluar, e cila ka bllokuar Dialogun e Brukselit, do të jetë çështja kryesore që Merkel do ta shtrojë në tavolinë me Haradinajn.

Burimet thonë se në takimin e Parisit, i caktuar të mbahet më 1 korrik, do të shkohet për ta hequr taksën dhe kjo është marrëveshja që thuhet se Merkel dhe Haradinaj do ta bëjnë gjatë ditës së nesërme.

Por, nuk besohet se dorëzimi i Haradinajt për heqjen e taksës që nesër do të bëhet publik. Burime te Periskopit kanë bërë të ditur se kjo pritet te servohet si e arritur e takimit të Parisit, që Haradinajt të mos i bie tërë barra e dorëzimit për taksën.

Haradinaj ka refuzuar deri më tash me kokëfortësi kërkesat e njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për heqjen e taksës.

Ai ka thënë se e vetmja mundësi për heqjen e taksës është njohja e Kosovës nga Serbia.

Kryeministri Haradinaj, i cili fillimisht kishte refuzuar të bëhej pjesë e Dialogut, tashmë ka nisur të përfshihet në mënyrë të drejtpërdrejtë në diskutimet për këtë proces.

Me pjesëmarrjen në Samitin e Berlinit, i cili u mbajt në fund të prillit, ku Gjermania dhe Franca u përpoqën ta shtynin përpara idenë e normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, ai shënoi arritjen e parë.

Haradinaj do të mund ta shohë këtë si një sukses personal, pasi i tërë angazhimi i tij i muajve të fundit ishte i përqendruar në betejën e tij me Presidentin Hashim Thaçi, për të marrë protagonizëm në këtë proces të rëndësishëm për vendin dhe për të shkëputur pak nga lavdia e fotografisë historike që mendohej se do të shkrepej në Shtëpinë e Bardhë.

Duke e kundërshtuar ashpër idenë e Presidentit Thaçit për korrigjimin e kufijve, të cilën e quante “ndarje të Kosovës”, dhe duke refuzuar suspendimin e taksës, Haradinaj vlerësohet se ka mbajtur qëllimisht të bllokuar Dialogun Kosovë-Serbi, me idenë për t’u përfshirë vetë në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për të qenë pjesëmarrës në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes Finale, për të cilën Presidenti Amerikan, Donald Trump, kishte thënë se do të mbahej në zyrën e tij në Washington.

Kësisoj, Haradinaj ka zbuluar strategjinë e tij politike: Së pari ta krijojë vetë problemin, e pastaj ta zgjidhë po vetë atë. Kështu ai kishte vepruar me Demarkacionin me Malin e Zi, e si duket kështu do të veprojë edhe me taksën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu