Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi gjatë një interviste për televizionin A2 në Tiranë ka deklaruar se nuk pretendon të bëhet president i Maqedonisë, transmeton Gazeta Lajm. Ai ka thënë se preferon të vazhdojë detyrën aktuale deri në fund të mandatit.
Ai, ka bërë të ditur se zgjedhjet presidenciale do t’i shpall më 2 ose 3 shkurt. Me këtë rast ai nuk ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare pas përmbylljes së Marrëveshjes së Prespës në Kuvend, megjithatë ai ka sqaruar se për një gjë të tillë nuk ka nismë të tillë.
Xhaferi në intervistën me gazetarin e njohur Endri Xhafo, ka folur edhe për ligjin për gjuhën shqipe, për të cilin ka thënë se do të dekretohet edhe pa nënshkrimin e presidentit Gjorgje Ivanov dhe pret që kjo gjë të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm.
I pari i Kuvendit të Maqedonisë nuk pret probleme gjatë votimit final për ndryshimin e Kushtetutës e qëllim ndryshimin e emrit të shtetit. I pyetur për hetimet që ka hapur Prokuroria Speciale për kreun e BDI-së Ali Ahmeti, kreu i Kuvendit është shprehur i bindur se drejtuesi i BDI-së është i pastër. Tentativat për njollosjen e tij – sipas Xhaferit – bëhen nga faktor të ndryshëm që kërkojnë largimin e Ahmetit nga skena politike.
“Largimi i Ali Ahmetit nga politika dobëson interesin e shqiptarëve në gjithë rajonin”, është shprehur Xhaferi. Lidhur me arratisjen e Gruevskit, Xhaferi ka thënë se ish kryeministri nuk ka pasur nevojë për ndihmën e askujt për të arritur në Hungari ku kërkoi azil.










