Taravari me letër të hapur kryeministrit Zaev

Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, i ka shkruar një letër të hapur kryeministrit, Zoran Zaev. Mes tjerash, Taravari theksoi se letra është e hapur sepse ndoshta “rreshtat e saj do t’i kuptojë tërë blloku qeveritar që është me rëndësi t’i kuptojë dhe, e dyta, letra të drejtohet në emër personal, jashtë postit që mban, pasi mendoj se ka nevojë të kthehet te Zorani.

Vetëm një Zoran i ndërgjegjshëm mund të ndalojë dështimin e kryeministrit, funksion të cilin ta dhuroi populli. Natën e frikshme të 27 prillit, ku kryetari i partisë time, Ziadin Sela, rrezikoi jetën krah teje, unë edhe mijëra shqiptarë ishim gati të të dilnim për zot edhe ty që ishe në kërcënim gjithashtu!

Pra ti ishe një njeri që pavarësisht etnisë ndryshe, shqiptarët të rreshtuan në krahun e të mirëve! Tani i nderuari Zoran më thuaj: A lihet një qytet me 100 mijë banorë pa buxhet për hatër të BDI-së?! A i jepet një qyteti 1000 euro për një vit gjithsej për kulturë?! Po edhe sikur në Afrikë të ndodheshim do kishte bërë ndonjë gjë UNESCO dhe do ishim të mbrojtur!

Je mbytur me skandale diktatoriale be Zaev! Me një kohë mendoja që je korrekt! Si shkon ti bën me dorën tënde 100 mijë armiq?! Këto ditë pres të gjithë kompetencat e Arsimit nga komuna e Gostivarit t’ia transferosh Pushtetit Qendror! Turp e faqja e zezë! Ç’do t’u thuash Europës dhe Amerikës që i shkon kundra strategjive të tyre?! Po të merr në qafë BDI-ja! E di ç’thotë populli për ty?! Të quan që je në rrugë për t’u shndërruar në një Gruevski i ri! A nuk je”,- thekson mes tjerash në Letrën e hapur kryetari i Gostivarit, Taravari.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu