Taravari për Alb TV USA: VLEN me dinjitet po bashkëqeverisë, BDI merret me lajme të rreme

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një intervistë për ALB TV USA ka folur për zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe çështjet e shqiptarëve.

Ai theksoi se koalicioni VLEN me dinjitet mbron pozicionin shqiptar në Qeveri dhe se ka arritur që të vë në binarë shumë çështje për zgjidhje sidomos sa i përket shqiptarëve dhe që janë lënë zvarrë dhe në kaos nga BDI, përcjell INA.

Ai shtoi se BDI përmes lajmeve të rrejshme po synon ta krijoj një fotografi mashtrimi sa i përket zhvillimeve aktuale dhe qeverisjes së VLEN.

“Ata janë njerëz që vazhdimisht presin prapa dyerve të qeverisë. Vazhdimisht janë duke bërë presion për të hyrë në qeveri, sepse kjo parti 22 vjet ka qenë në pushtet dhe nuk është mësuar të jetë në opozitë, por i ngjan opozita. Unë mendoj se ata janë burra, të cilët duhet të qëndrojnë në opozitë. Nuk është 100-ditëshi i parë… mendoj se shumë vite do të presin në opozitë dhe mendoj se dalëngadalë duhet të adaptohen në opozitë. Besoni se këto shpifje dhe lajme të rreme që i përhap BDI-ja për të krijuar një bindje se shqiptarët në qeveri janë vasalë, kjo është tërësisht një inxhiniering nëpërmjet mediumeve, ndërsa BDI-ja ka burime të mëdha financiare dhe ditët që vijojnë mendoj se do të jenë të vështira për BDI-në, posaçërisht për krimin të cilin e ka bërë gjatë qeverisjes 22-vjeçare. Kjo është arsyeja kryesore pse ata janë të shqetësuar dhe mundohen të krijojnë imazhe negative për partitë që janë pjesë e qeverisë, aktualisht”, deklaroi Taravari.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu