Tashmë zyrtare, studentët shqiptarë në Maqedoni protestat i nisin të martën

Protestat e paralajmëruara, ditë më parë, nga studentët shqiptarë të Maqedonisë, si duket po bëhen realitet. Durimit të tyre i erdhi fundi.

Para pak çastesh edhe zyrtarisht nga këshilli nismëtarë për organizimin e protestave njoftuan se ditën e martë me datë 18.12.2018 me fillim në orën 12:30 në sheshin Iliria, në Tetovë do të fillojnë protestat e studentëve.

Grupi i studentëve që organizojnë këto protesta, mbrëmë nëpërmjet mediave elektronike shpalosën disa nga kërkesat e tyre, drejtuar Ministrisë së Arsimit, udhëheqësise së Universiteteve, e që kryesisht kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve në universitete, depolitizimin e tyre si dhe rishikim të taksave dhe tarifave që studentët i paguajnë dhe që vlerësojnë se janë tepër të larta.

Ata sot nëpërmjet një njoftimi të ri, ftojnë të gjithë studentët, gjimnazistët, rininë dhe të gjithë shqiptarët të solidarizohen dhe të mbështesin Protestën e tyre të paralajmeruar për ditën e martë me fillim në ora 12:30, në sheshin Iliria në Tetovë.

Ja se çfar thuhet në letrën e tyre:

Të nderuar studentë, gjimnazistë, E nderuar Rini Shqiptare, Ka ardhur koha që ti dalim zot vetes dhe kombit. Ka ardhur koha që të çohemi nga gjumi dhe të fillojmë ta rregullojmë vetë gjendjen tonë. Dimri është stinë e ftohtë. Arinjtë e shfrytëzojnë për gjumë. Por ne nuk jemi arinj. Ne nuk do të flejmë këtë dimër. Ky dimër për ne do të jetë shumë i nxehtë, sepse të gjithë së bashku do ta bëjmë atë që shumë gjenerata studentësh shqiptarë e kanë bërë para shumë vitesh e dekadash. Lëvizjet studentore shqiptare në shekullin e kaluar kanë lënë gjurmë të thella në historinë tonë kombëtare, por edhe në memorien, ndërgjegjen dhe mentalitetin e gjeneratave të tëra të shqiptarëve. Të kujtojmë sakrificën e dhënë nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë, nga prindërit tonë, nga qindra e mijëra djem e vajza të reja që flijuan çdo gjë për ardhmërinë e gjeneratave të reja. Për ardhmërinë tonë. Për të sotmen tonë. Gjaku i derdhur nuk duhet të shkojë kot. Situata në të cilën kalon arsimi shqip në Maqedoni lë për të dëshiruar. Nuk është aspak për tu lëvduar as edhe gjendja e kombit Shqiptar në Maqedoni. Shtylla kryesore e zhvillimit të kombit është arsimimi i gjeneratave të reja. Ky zhvillim i kombit tonë ka ngecur në vend, për të mos thënë se po bëjmë hapa prapa. Për këtë fajtor jemi edhe vetë ne. Sepse kemi lejuar që dikush të na sjellë në këtë situatë. Nëse nuk e kemi lejuar direkt, të paktën nuk e kemi penguar. Prandaj, ka ardhur koha që fatin tonë si rini dhe si komb, ta marrim në duart tona. Të mos i përsërisim gabimet që na kanë kushtuar shtrenjtë. Të Martën, më 18 Dhjetor, prej orës 12.30 të gjithë tek Sheshi Iliria në Tetovë. PROTESTO ME STUDENTËT!!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu