Ziadin Sela nuk është kundër idesë së kreut të BDI-së Ali Ahmeti, për formimin e një koalicioni gjithëpërfshirës të partive politike shqiptare, mirëpo në të njëjtën të mos figurojë asnjë parti maqedonase. I ftuar në ClickPlus, kryetari i Kuvendit të ASH-së, shprehet se ai personalisht është shumë i vogël t’i thotë jo kësaj, siç e quan, ide madhore.
“Idesë së një koalicionimi të gjithë spektrit politik shqiptar me sa arrita ta dëgjoj, në një listë të përbashkët zgjedhore. Gjithë spektrit politik shqiptar, gjitha partitë që janë krijuar. Sado që të duket utopike, por ja po e marr për të mirëqenë. Ziadin Sela është shumë i vogël për t’i thënë një ideje të tillë nëqoftëse ka ide të madhe brenda, dhe ASH s’e besoj që do i thotë jo”, theksoi Ziadin Sela – deputet i ASH.
Por a do ta mbështeste Sela Taravarin, nëse ky i fundit lidhë koalicion bashkëpunimi me partitë opozitare, Lëvizjen Demokratike dhe Lëvizjen Besa?
“Nëqoftëse ne vazhdojmë me këtë lloj aventure, ne vetëm mund të japim mesazhin se na pëlqen të na tradhëtojnë, asgjë tjetër. Dmth a nuk u mbushën me mendje ky popull, do të ketë të drejtë. Unë po them që, eksperienca e deritanishme ka treguar se ne e kemi zgjatur dorën dhe kemi gabuar”, pohoi Ziadin Sela – Deputet i ASH.
Por çfarë thonë nga opozita? A do ta pranonin edhe Aleancën për Shqiptarët në gjirin opozitar?
“Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët dhe jo vetëm. I bëjmë thirrje edhe OJQ-ve, intelektualëve të pavarur, të gjithë që duan ndryshimin në kampin shqiptar”, deklaroi Izet Mexhiti – Kryetar i LD.
“ASH dhe Taravari duhet të qartësojnë pozicionin e tyre, a do të vazhdojnë të mbeten në qeverinë e Ali Ahmetit apo do të pozicionohen me opozitën. Ne si front opozitar jemi të hapur për bashkëpunim edhe me ASH-në nëse ndryshojnë qëndrimin e mbetjes në qeverinë e krimit dhe korrupsionit”, tha Abdush Demiri – Sekretar i Lëvizjes Besa.
E pikërisht Taravari u pati shprehur që më së miri për Aleancën për Shqiptarët do të ishte që në zgjedhjet e ardhshme, të garojnë vetëm, duke mos u përfshirë në çfarëdolloj koalicionimi me partitë tjera.