Tensione mes Japonisë dhe Rusisë, dy avionë të dyshuar rusë shkelin hapësirën ajrore japoneze

Tensione të reja janë regjistruar në marrëdhëniet mes Japonisë dhe Rusisë, pasi Tokio ka denoncuar shkeljen e dyshuar të hapësirës së saj ajrore nga dy avionë që besohet se i përkasin Moskës.

Incidenti ndodhi në orët e para të së martës, më 17 nëntor, pranë ishullit Okinoshima, në jugperëndim të Japonisë. Pas konstatimit të avionëve, forcat e armatosura japoneze aktivizuan menjëherë sistemin e mbrojtjes ajrore dhe ngritën avionë luftarakë për t’i identifikuar dhe interceptuar.

Qeveria japoneze e cilësoi ngjarjen si një shkelje të papranueshme të sovranitetit kombëtar dhe njoftoi se i kishte paraqitur Moskës një protestë të fortë diplomatike.

Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, konfirmoi mobilizimin e forcave ajrore dhe reagoi ashpër ndaj incidentit.

“Shkelja e hapësirës sonë ajrore kombëtare nga avionët rusë nuk është vetëm një sulm serioz ndaj sovranitetit kombëtar të vendit tonë, por edhe një kërcënim për sigurinë tonë dhe është plotësisht e papranueshme”, deklaroi Kihara.

Ai bëri të ditur se Tokio kishte përcjellë zyrtarisht protestën përmes kanaleve diplomatike, duke i kërkuar Rusisë të marrë masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.

Sipas autoriteteve japoneze, dy avionët hynë në hapësirën ajrore të vendit pranë ishullit Okinoshima, në prefekturën Fukuoka, pak pas orës 04:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën e tensionit

Incidenti i fundit vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Tokios dhe Moskës po përkeqësohen gjithnjë e më shumë, për shkak të disa zhvillimeve të fundit.

Tensionet janë shtuar pas arrestimit të një gazetari japonez në Rusi, i cili akuzohet për spiunazh, si dhe konfiskimit të aseteve të kompanisë japoneze Japan Tobacco në territorin rus.

Shkelja e dyshuar e hapësirës ajrore shton një tjetër përplasje mes dy vendeve, ndërsa Japonia kërkon garanci nga Moska se ngjarje të ngjashme nuk do të përsëriten.

Për momentin, autoritetet japoneze nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi identitetin e avionëve apo rrethanat e plota të incidentit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu