Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, Ashton tregon “çelësin” e zgjidhjes

Roli i bashkësisë ndërkombëtare është vendimtar për përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Kështu është shprehur ish-shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cila si “çelës magjik’ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes të dyja vendeve ka zgjedhur si alternativë të parë Evropën.

“Mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht nga Evropa, është e rëndësishme në mënyrë që të dyja palët të fitojnë besimin dhe të lëvizin përpara. Arritja e marrëveshjes është vetëm fillimi. Zbatimi dhe ekzekutimi i vendimeve kërkojnë burime, dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë”- është shprehur Ashton në një intervistë të dhënë për BBC në gjuhën serbe.

Ajo beson fort se do të këtë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë falë ndihmës së faktorit ndërkombëtar.

“Shpresoj se së shpejti do ta shohim. Mendoj se (në foto) do të jenë udhëheqësit e të dy vendeve me komunitetin ndërkombëtar, udhëhequr nga Bashkimi Evropian, e cila do të japë mbështetjen e saj për çdo gjë që është arritur”, ka thënë Ashton.

Mes tjerash, Catherine Ashton, e cila konsiderohet si meritorja kryesore për nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 ka treguar edhe për vështirësitë e atij dialogu.

“Gjëja më e vështirë ishte kur besoni se keni arritur deri te marrëveshja, por kur kjo ka nevojë të nënshkruhet, në mënyrë që formalisht të dakordoheni dhe t’i njoftoni të gjithë për atë që keni bërë. Në këtë pikë, është e lehtë për të gjetur një arsye për të heqë dorë ose për të humbur nervat,” tha Ashton, raporton KosovaPress.

Gjithashtu në komentin e saj nuk kanë munguar edhe dy ish-kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, të cilët siç shton ajo, ishin të nervozuar por njëherësh të vendosur për të çuar përpara negociatat e tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu