Thaçi: Edhe Rusia do ta pranojë marrëveshjen me Serbinë, s’e kemi lehtë por na ka ra hise

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë mbajtur fjalime para panelit në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Në mes të tyre ishte edhe komisioneri europian, Johannes Hahn.

Hashim Thaçi gjatë kësaj konference e ka përmendur edhe Rusinë, aleatin numër një të Serbisë,transmeton Periskopi.

Thaçi e ka pranuar se do të jetë e vështirë për t’u arritur një marrëveshje pasi ka dallimë të mëdha ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës mes tjerash ka thënë se edhe Rusia do ta pranojë marrëveshjen me Serbinë.

Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë të Thaçit:

“Sot kam qenë i fokusuar që të diskutojmë për të ardhmen dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes me Serbinë. Vuciq ka thënë se do të mbroj Serbinë, por nuk jemi në betejë këtu, andaj s’është mirë me bë drama. Krejt e dinë që Serbia e ka bërë spastrimin gjatë viteve të 90’ta. Sa i përket Asociacionit ne kemi nënshkruar marrëveshje e cila do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Duket se Vuciq ende nuk po e kupton që unë jam president i një shteti sovran. Me pa qenë lehtë me arrit marrëveshjen, e kishin arrit të tjerët para neve, por ja që na ka ra hise. Meqë armiqësia është e madhe mes dy vendeve, atëherë do të jetë e vështirë marrëveshja, thuajse e pa mundur.

Ne kemi dallime të mëdha, por megjithatë po flasim. Marrëveshja që do të arritet duhet ta njoh Kosovën dhe ne të anëtarësohemi në OKB. E di që do të ketë kompromis për të cilin do të diskutojmë, pasi Beogradi nuk do të na jap si dhuratë njohjen, apo të na mundësojë anëtarësimin në OKB. Është risi shpesëdhënëse që ndoshta edhe Rusia do ta pranojë marrëveshjen që do ta arrijmë me Serbinë, dhe kjo do të sillte njohje globale të marrëveshjes mes dy vendeve.

Edhe paqe do të ndërtojmë. Ne mund të jemi model franko-gjerman i pasluftës së dytë botërore. Unë e di që ka kritik, por askush s’po jep ide për tejkalimin e kësaj situate. Në Ballkan është e hapur Kutia e Pandorës, andaj marrëveshja finale me Serbinë do ta mbyllte atë. Ne jemi popullata më pro-amerikane në botë, andaj nuk do të kursejmë asgjë që ta arrijmë marrëveshjen. Nuk do të jetë marrëveshje e tipit: njëra feston, tjetra vajton,” ka thënë Thaçi. /Periskopi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu