“Ne në Kosovë, do të donim të shihnim Britaninë në Bashkimin Evropian. Definitivisht, Bashkimi Evropian nuk do të jetë i njëjti pa Britaninë” – me këtë deklaratë të presidentit Hashim Thaçi, nis artikulli i prestigjiozes britanike “The Independent”. “Ne nuk mund të shtiremi se asgjë s’ka ndryshuar, asgjë s’ka ndodhur, kjo është gjë e madhe, vërtetë shumë e madhe”.
Ai thotë: “Pa Britaninë, Bashkimi Evropian do të humb shumë substancë. Nuk është situatë e mirë, as për Bashkimin Evropian, as për ne në Kosovë”.
The Independent shkruan se presidenti Thaçi flet për këto çështje nga këndvështrimi i tij. Aktualisht ai është në një rrugë, e cila siguron se nuk do të rikthehen më luftërat e përgjakshme të Ballkanit – një konflikt vdekjeje, mizorie, dhunime masive dhe spastrim etnik. Dhuna e kishte tronditur njëherë Evropën, andaj grindjet e tilla, të egra, tashmë i kalojnë të kaluarës.
Tani, ish-kundërshtarët – Kosovë dhe Serbi, po nxitën nga perëndimi që të arrijnë një marrëveshje paqeje, pas një konflikti të përgjakshëm.
Udhëheqësit e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, të dy të cilësuar në të kaluarën si nacionalistë të ashpër dhe të palodhur, së fundmi kanë zhvilluar bisedime në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih. Së shpejti pritet raundi i ri i negociatave.
Ekziston një marrëveshje e përgjithshme për anëtarësimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian në rast se arrihet marrëveshja e paqes, si dhe në rastin e Kosovës – garantohet anëtarësimi në NATO.
“Bazuar në rrethanat me të cilat po ballafaqohemi ne në Kosovë, tanimë nuk ka dyshim se rruga e vetme e së ardhmes është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, citon The Indenpendent Thaçin, gjatë një vizite në Londër.
“Si Kosovë, ne do t’i kryejmë gjitha detyrat tona, sepse e meritojmë të anëtarësohemi në NATO dhe në BE. Ne duam kufij të hapur brenda Evropës, me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kudo në rajon. Sa i përket NATO’s, mendoj se po flasim për një kornizë kohore prej 5 deri në 10 vjet, ndoshta më pak, kur ne do të jemi anëtarë të tyre”.
Derisa flet për periudhën e luftës, Thaçi thotë: “Britania gjithmonë do të mbetet partner i Kosovës, qoftë në BE apo jashtë saj. Ishte një nga kontribuuesit më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, andaj gjithherë do të jemi falënderues për këtë”.
Për “The Independent”, Thaçi flet edhe për vendet e Bashkimit Evropian, si Greqia, Spanja, Rumania dhe Qipro që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.
“Ka përçarje midis disa anëtarëve të BE’së. Ka edhe përçarje për çështjen e Kosovës. Këtë e dimë. Bashkimi i ndërkombëtarëve do të na ndihmonte shumë për dialogun, sepse ne kemi nevojë të arrijmë një marrëveshje me Serbinë. Dhe, nuk ka dyshim se kjo do të përshpejtonte edhe procesin e njohjes nga këto vende”, thotë Thaçi.
Aty, përmendet edhe interesimi i presidentit amerikan, Donald Trump për çështjen Kosovë – Serbi.
Kujtohet se Trump ka kërkuar angazhim nga dy vendeve për arritjen e një marrëveshjeje të paqes mes dy vendeve, sa më shpejt që është e mundur.
“Skeptikët thonin se Trump nuk do të interesohej për Ballkanin” – thotë Thaçi.
“Në fakt, ai ka qenë shumë i vëmendshëm, shumë mbështetës, si dhe po ndjek politikat e presidentëve të tjerë mbi Kosovën dhe Ballkanin. Ai po vepron si Bushët, Klintoni dhe Obama. Trump, brenda dy muajsh ka dërguar dy letra për mua dhe presidentin serb. Dhe, porosia ishte shumë e qartë: kërkohet arritja e një marrëveshje brenda këtij viti”.
Në këtë intervistë për The Independent, Thaçi flet edhe për Aleksandër Vuçiqin, me të cilin po përpiqet të bëjë dialog.
“Vuçiq ka ndryshuar shumë. Ai është përballur me situata të vështira shpeshherë për shkak të gabimeve të veta” – thotë Thaçi. “Regjimi, të cilit ai i përkiste dikur, ishte si dreqi. I bënë shumë dëm, jo vetëm Kosovës, Kroacisë e Bosnjës, por edhe vetë Serbisë”.
“Më 1998 dhe 1999, Vuçiq dhe unë ishim në opozitë. Ne fituam, ai humbi. Megjithatë, ai është udhëheqës legjitim, i votuar nga qytetarët. Ne kemi ndryshuar në drejtim pozitiv, andaj duhet të evoluojmë tutje. Tani nuk flasim më për konflikt apo luftë, por për arritjen e paqes. Për fat të keq, gjtihmonë do të ketë njerëz kundër paqes, siç po bëjnë tani një grup njerëzish në Serbi”.
“Vuçiq është një njeri shumë i vështirë për të dialoguar me të. Por, unë nuk e kam zgjedhur atë. As ai nuk më ka zgjedhur mua, por jemi përfaqësues të dy shteteve të pavarur.
“Thaçi ka problemet e tij. Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, që u vendosën në Hagë në 2017’ën, janë duke i hetuar dyshimet për krime lufte ndaj disa prej figurave kryesore të UÇK’së.
Thaçi insiston se nuk ka asgjë për tu frikësuar, ndërsa thotë se është i gatshëm të pres çka do të sjellë e ardhmja
“Si gjithmonë, ne nuk do të ikim, nuk do të turpërohemi, do të përballemi me to dhe jam i sigurt se do ta përfundojmë me dinjitet dhe integritet”, ka thënë Thaçi.
Ai thotë se ka zëra që dëshirojnë që ta njollosin Kosovën dhe atë personalisht. Megjithatë, ai thotë se nuk do të hezitojë t’i përgjigjet çdo gjëje që vjen.
“Jam personalisht shumë krenar që kam qenë një nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë do të ketë zëra që do të provojnë ta denigrojnë Kosovën ose ta akuzojnë Kosovën, të përbuzin Kosovën dhe mua personalisht. Por kjo nuk do të thotë që unë kam ndonjë hezitim para asaj që mund të vijë. Unë besoj në drejtësi. Çka nuk duhet të lejojmë ne është përsëritja e historisë”, ka thënë tutje Thaçi.
Presidenti kosovar akuzon komunitetin ndërkombëtar për standarde të dyfishta.
“Ne ende s’kemi parë gjykime apo dënime për gjenocidin që Serbia e kreu në Kosovë. Për neve, shqetësuese është heshtja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtyre krimeve. Kemi pasur 15 mijë civilë të vrarë. Mbi 20 mijë është numri i të dhunuarve gjatë luftës në Kosovë. Drejtësia ndërkombëtare nuk i ka dënuar përgjegjësit e këtyre krimeve”.
Por, Thaçi është po ashtu i vetëdijshëm për barrën e historisë në Ballkan.
“Sigurisht, pengesa më e madhe është e kaluara”, thotë ai.”Por, nëse shohim tani gjerësisht në rajon, veçanërisht pas marrëveshjes së fundit midis Maqedonisë dhe Greqisë, çështja kryesore tani është Kosova dhe Serbia, që te dy vendet të arrijnë një marrëveshje paqeje. Në fund të fundit, dialogu nuk ka alternativë. Kjo është zgjidhja e vetme”.
Ai shton “Ata që luftuan në luftë, duhet të mendojnë tani për një të ardhme paqësore për gjeneratat e ardhshme. Kjo është e rëndësishme për ne dhe për Evropën”.










