Thaçi nuk udhëton dot në Bosnjë dhe Hercegovinë, ja arsyet?

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfundimisht ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin e thirrur në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Siç njofton komunikata, Thaçi e falënderon BERZH-in për ftesën dhe trajtimin e barabartë të Kosovës në këtë takim, si dhe shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e tij.

“Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur”, thuhet në komunikatën nga presidenca.

Tutje, aty thuhet se Bosnje Hercegovina ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe për fatin e keq të qytetarëve të të dyja vendeve ky shtet ende e mban në fuqi regjimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu