Thaçi të na sqarojë çka nënkupton korrigjimi i kufijve, në Bruksel askush s’flet për këtë gjë

Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror të Kosovës për negociata me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka thënë se në Bruksel askush nuk flet për idenë e ndryshimit të kufijve mes dy vendeve – raporton Periskopi.

Kryetari i PSD’së madje thotë se ende nuk e ka të qartë idenë që po e propozon presidenti Hashim Thaçi, për shkak të termeve të shumta që po përdoren, e që dallojnë fundamentalist prej njëra tjetrës.

Ai e ka komentuar deklaratën e të parit të shtetit në Uashington se nëse një ‘korrigjim i lehtë’ i kufijve me Serbinë duhet të jetë çmimi që duhet paguar për marrëveshjen finale, atëherë është i gatshëm të pranojë.

“E para, nuk e kuptoj pse presidenti Thaçi e zgjedh Uashingtonin për me tregu gjana të tilla. Unë mendoj se së pari duhet ta bëjë në Kosovë këtë punë. E dyta, unë nuk po e kuptoj edhe pse e kam dëgjuar tri – katër herë duke folur për korrigjim, ndryshim, shkëmbim, korrigjim i lehtë, bashkëngjitje e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Unë nuk e kuptoj se cili është propozimi. Demarkimi është proces teknik. Delimitimi është ndarje politike e sovraniteteve mes dy shteteve. Me proces të delimitimit merremi vesh me parime se ku e kemi megjën, ku e kemi vijën. Unë nuk e kam dëgjuar në Bruksel se dikush e ka përmend këtë temë. Nëse kjo është kërkesë e Serbisë, nuk e kuptoj pse Thaçi është i pari që e hap. Për mua është e qartë se Republika e Kosovës e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, në kufij të specifikuar, sipas kufijve administrativ të Krahinës së Kosovës atëherë dhe është i caktuar edhe viti. Është mirë që ata që e përkrahin këtë ide, përfshirë Thaçin që në Prishtinë ta shpjegojnë këtë temë. Neve na është thënë që nuk janë diskutuar asnjëherë në Bruksel këto çështje”, ka thënë Ahmeti në Argument Plus në RTV 21.

Tutje, Ahmeti ka paralajlmëruar se platforma për dialogun do t’i dorëzohet të martën deputetëve, andaj pret diskutim për të.

“Tash jemi në fazën kur duhet t’i dorëzojmë disa pozicione të shkruara, pasi thonë që nuk kanë marrë diçka të shkruar nga pala e Kosovës lidhur me pozicionet e saj për tema të caktuara, si dhe i kemi informuar për platformën e cila të martën zyrtarisht dorëzohet në Kuvend dhe besojmë se do të hap diskutim, pasi ajo na mandaton për kufijtë, për vijat e kuqe në dialog e gjithçka tjetër. Një platformë që nuk pranon ndryshimin e kufijve e as rend të tretë të pushtetit”, ka deklaruar tutje Ahmeti./PERISKOPI


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu