Turqia “provokon” SHBA-në me emrin e ri të rrugës ku ndodhet Ambasada amerikane
Qeveria turke planifikon të ndryshojë emrin e rrugës në të cilën ndodhet Ambasada amerikane në Ankara.
Por ironia qëndron pikërisht te emri.
Rruga “Nevzat Tandoğan” do të quhet rruga “Dega e ullirit”, një mënyrë kjo për të treguar zemërimin ndaj partnerit në NATO.
Lajmin e ka bërë të ditur në “Tuiter” kryebashkiaku i Ankarasë, Mustafa Tuna.
Ai thotë se propozimi për ndryshimin e emrit është firmosur dhe i ka kaluar komisionit përkatës.
Ndryshimi i emrit do të hidhet për votim në Këshillin Bashkiak të mërkurën.
Operacioni “Dega e ullirit” nisi në zonën e Afrinit në Siri, më 20 janar.
Operacioni ushtarak turk ka për qëllim goditjen e Njësive për Mbrojtjen e Popullit Kurd, YPG.
Ankaraja pretendon se YPG-ja mbështetet nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën Turqia e konsideron organizatë terroriste.
Ndryshimi i emrit të rrugës, duket si një taktikë për t’i dalë kundër presidentit amerikan, Donald Trump.
Rasti të kujton vendimin e qeverisë iraniane në vitin 1981, për të ndryshuar emrin e rrugës “Winston Churchill” në rruga “Bobby Sans”, pas grevës së urisë së ushtrisë republikane irlandeze.