Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka reaguar ndaj deklaratës së Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deklaroi se Dhomat e Specializuara janë “organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur”.
Kos, më 16 shtator, tha se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen dhe se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë. Ajo theksoi se bëhet fjalë për “përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ndërsa bëri thirrje për pajtim në rajon.
Në reagimin e tij, Mishetiq ka kundërshtuar mënyrën se si Kos e ka cilësuar Specialen, duke thënë se paanshmëria e saj në rastin e Thaçit ende nuk është përcaktuar.
“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e zotit Thaçi, kjo ende duhet të përcaktohet. Nuk është për Marta Kos që ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mishetiq.








