Turqia punëson 20,000 mësues të rinj përpara vitit të ri shkollor

Në një ceremoni në Kompleksin Presidencial të enjten, presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan ka njoftuar punësimin e 20 mijë mësuesve, ndërsa premtoi më shumë mbështetje financiare për arsimtarët.

Mësuesit mësuan vendin e tyre të detyrës në ceremoni përmes një shorti elektronik.

Punësimi vjen 11 ditë përpara fillimit të një viti të ri shkollor për miliona nxënës.

Me rekrutët e rinj, vënë në pah mediat turke, numri i mësuesve në Turqi tani ka kaluar 1 milion.

Erdogan tha se ishte një zhvillim i rëndësishëm, duke përmendur se numri i mësuesve në Turqi ishte vetëm rreth 526,000 rreth dy dekada më parë, përpara se Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të fitonte zgjedhjet e para.

Madje, Erdogan ka thënë se gratë përbëjnë 60% të mësuesve të vendit, duke vlerësuar se AK Parti i dha fund “padrejtësisë” me të cilën përballeshin mësueset femra, veçanërisht në periudhën para dhe pas grushtit të shtetit të vitit 1997, kur mësuesit me shami u përjashtuan nga sektori publik.

“Asnjë nga nëpunësit tanë civilë nuk detyrohet të bëjë një zgjedhje midis karrierës dhe besimeve të tyre”, citohet të ketë thënë presidenti turk.

Mësimdhënia është ndër profesionet më të njohura në vend, megjithëse pagat kanë qenë prej kohësh relativisht të ulëta për ata që punojnë në shkollat publike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu