Uashingtoni shkund pushtetarët shqiptarë, 14 persona në listën e zezë të DASH

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të nisin një fazë të dytë bllokime vizash për pushtetarët e korruptuar shqiptarë. Deri më tani emra si Adriatik Llalla, Vangjush Dako, apo Tom Doshi kanë hyrë në listën e zezë të amerikanëve, por dje është bërë e ditur se kjo listë do të zgjerohet akoma dhe më tej. Përmes një videoje në rrjetet sociale, ambasada ka deklaruar se do të nisë një cikël informues se si do u refuzohen vizat pushtetarëve të përfshirë në afera. Në këtë video bëhet e ditur se momentalisht janë shpallur non grata me vendim të Sekretarit të Shtetit 14 shqiptarë, ndërsa do ketë dhe të tjerë në ditët në vijim.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, ne do të shpjegojmë përcaktimet publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara. Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Disa zyrtarë të korruptuar shqiptarë dhe anëtarët e familjeve të tyre janë skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në SHBA. Është një ndëshkim i rëndë vetëm për zyrtarët më të korruptuar kudo në botë”, thuhet në mesazhin e ambasadës. 14 emrat në fjalë bazohen në vendimin e kreut të DASH, ndërkohë që vetë ambasada e SHBA në Tiranë ka bllokuar mbi 170 viza zyrtarësh, përfshirë Sali Berishën dhe Petrit Vasilin.

Kjo do të thotë se numri i emrave që janë në listën e zezë të amerikanëve është i madh, duke filluar nga politikanë, te prokurorë dhe gjyqtarë, shumica të ngelur në veting. “Sipas 7301 (c) Sekretari i Shtetit mund ta përcaktojë individin dhe anëtarët e familjes së tij/saj në mënyrë publike ose private. Sekretari i Shtetit ka përcaktuar publikisht rreth 100 persona në mbarë botën, 14 prej të cilëve janë shqiptarë. SHBA do t’iu hapin dyert zyrtarëve publikë me etikë, ndershmëri dhe përgjegjësi. Zyrtarët e tanishëm dhe të kaluar të korruptuar dhe anëtarët e familjeve të tyre rrezikojnë të humbin privilegjin për të hyrë në Shtetet e Bashkuara në të ardhmen”, thekson Ambasada e SHBA.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu