“Ultimatumi” i Isa Mustafës për Albin Kurtin, a do të reagojë kreu i Vetëvendosjes

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, dje pas takimit që zhvilloi me Kryesinë e partisë ia bëri edhe një herë me dije Albin Kurtit se duhet të lëshoj pe për kryekuvendarin, në të kundërtën i tha se nuk ka marrëveshje.

Mustafa i dha “ultimatum”, Kurtit që deri në fund të javës të deklarohet nëse e jep pozitën e kryeparlamentarit që e mban aktualisht Glauk Konjufca, dhe t’i hapin rrugë bërjes së qeverisë, ose tha se duhet të shpallet dështimi.

“Mbetemi të hapur që të ulemi të bisedojmë por ajo bisedë të ketë një përfundim me të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, deklaroi dje Mustafa.

Por këtij “ultimatumi” të kreut të LDK-së nuk i është përgjigjur ende Kurti. Ai nuk e ka thënë asnjë fjalë dje edhe pse ka bërë disa postime në Facebook.

Mbetet të shihet nëse sot do të reagoj Kurti ndaj “ultimatumit” të Mustafës apo do të vazhdojë të hesht.

Por zyrtarë të VV-së i janë kundërpërgjigjur Mustafës duke i thënë se nuk e largojnë Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit.

Arbërije Nagavci nga VV duke cituar Mustafën, ka deklaruar se “Pajtohem me z. Mustafa që marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre…”.

Ajo ka deklaruar se VV përveç që është për ndarje të barabartë të përgjegjësive, ka ofruar edhe më tepër, 6 ministri, kundret 5 që do t’i kishte partia e saj.

“Në linjë të njëjtë është edhe LV! andaj dhe në propozimet tona kemi ofruar që të ndajmë në mënyrë të barabartë marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të qeverisjes duke i besuar LDK-së udhëheqjen e 6 ministrive përderisa ne do të qeverisim me 5 ministri”, ka pohuar Nagavci.

Kujtojmë se Kurti i ka edhe 13 ditë kohë për krijimin e qeverisë, pasi të martën partia e tij Vetëvendosje emrin e tij për mandatar të martën e dërgoi tek presidenti Hashim Thaçi, në të kundërtën i shuhet ëndrra të bëhet kryeministër i vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu