Urthi, një nga problemet më të zakonshme gjatë shtatzënisë: Ç’duhet të bëni për ta parandaluar

Më tepër se gjysma e grave shtatzëna vuajnë nga urthi dhe për shumë prej tyre, kjo është përballja e parë me këtë gjendje

Në të vërtetë, urthi, i quajtur gjithashtu sëmundja e refluksit gastroezofagal, nuk ka asnjë lidhje me zemrën.

Ajo shkaktohet nga kthimi i ushqimeve që gjenden në stomak, të cilat kalojnë lart në ezofag. Kur ndodh kjo, acidet e stomakut ngacmojnë veshjen e ezofagut.

Kjo sëmundje e ka marrë emrin nga ndjesia e djegies që shkaktohet në pothuaj të njëjtin nivel me zemrën.

Urthi ndodh më shpesh gjatë shtatzënisë, sepse hormonet bëjnë që aparati tretës të ngadalësojë funksionin e tij.

Falë kësaj, lëndët ushqyese kanë më tepër kohë të thithen nga sistemi i qarkullimit të gjakut dhe të transportohen më pas te fetusi, por duhet gjithashtu më tepër kohë që stomaku të zbrazet. Shpeshherë kjo shoqërohet me mostretje të ushqimit ose me urth.

Përveç kësaj, gjatë muajve të fundit të shtatzënisë, mitra që është gjithmonë në zgjerim, ushtron shtypje në stomak, duke e spostuar atë më lart dhe duke e ngjeshur, shkruan Class.

Presioni i ushtruar i detyron acidet e stomakut që të ngjiten lart duke shkaktuar urth.

Parandalimi dhe kujdesi

Urthi nuk është aspak i këndshëm, por ju mund të merrni disa masa për ta parandaluar ose trajtuar atë.

* Hani shpesh dhe pak, për shembull, pesë ose gjashtë vakte të vogla në ditë, në vend të tri vakteve të bollshme.

* Disa ushqime kanë më tepër gjasa që t’jua ngacmojnë stomakun dhe ezofagun, në krahasim me disa të tjera. Përcaktoni se cilat ushqime ju shkaktojnë urth dhe mundohuni të mos i përdorni ato.

Hiqni dorë nga ushqimet me dhjamë, yndyrë apo të skuqura, si dhe nga kafja, çaji, çokollata, alkooli, pijet e gazuara, ushqimet shumë të ëmbla, ato me acid, si: agrumet apo lëngjet e tyre, domatet, specat e kuq dhe ushqimet shumë pikante.

* Konsumoni sa më shumë lëngje, veçanërisht ujë.

* Hani duke e mbajtur trupin në pozicionin e duhur. Kërrusja mund t’ju shkaktojë presion të tepërt në stomak.

* Shtrihuni pas një ore ose më shumë pasi të keni ngrënë.

* Mos hani asgjë dy ose tri orë para se të shkoni të flini. Kur është bosh, stomaku prodhon më pak acide.

* Shmangni lëvizjet dhe pozicionet që duket se ua përkeqësojnë problemin që keni. Kur të merrni gjëra nga toka, uluni në gjunjë, dhe mos u përkulni.

* Kur të jeni duke pushuar apo fjetur, mbështetuni mbi jastëkë, që të ngrini kokën dhe shpatullat.

Kur të kërkoni ndihmë mjekësore?

Në qoftë se urthi shndërrohet në një problem serioz, bëni një vizitë te mjeku. Mos merrni asnjë kundëracid ose bllokues acidesh, pa u konsultuar më parë me të.

Kundëracidet mund të përmbajnë shumë kripë dhe të rrisin grumbullimin e lëngjeve në indet e trupit.

Gjithashtu, nuk duhet të përdorni barna që përmbajnë aspirinë, etj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu