Valon Murati: Të ndryshohet Kushtetuta, t’i heqim privilegjet pakicave e të bashkohemi me Shqipëri

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, përmes një shkrimi në Facebook ka qortuar emisarin e BE-së për dialogun, z.Mirosllav Lajçak – pas deklaratave të tij se duhej ndryshuar Kushtetuta për t’i bërë vend Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Z.Murati beson që Kushtetuta mund të ndryshohet, por për t’i hequr privilegjet për komunitetet pakicë. Më tej ai shton se duhej ndryshuar edhe neni 1,3 që ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë apo Serbinë.

“Këto ndryshime mund të ndodhin vetëm si rezultat i një marrëveshjeje të re ndërkombëtare me Serbinë dhe nën garancinë e ShBA-ve dhe BE-së që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë,” – ka shkruar ai, përcjell Periskopi.

Ai ka deklaruar se ndryshimi i mundshëm kushtetues për Asociacionin do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës.

Lëvizja për Bashkim, një parti kjo që dikur kishte bashkëpunuar ngushtë me Vetëvendosjen, e ka mbështetur fuqishëm idenë e shkëmbimit të territoreve duke kërkuar që Presheva t’i ribashkohej Kosovës dhe Leposaviqi t’i ribashkohej Serbisë.

Statusi i plotë:

Ndryshime të kushtetutës – po, por në cilin drejtim është çështja!

Lajçaku paska thënë në Beograd se Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshojë për të akomoduar një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Është e vërtetë se kushtetuta duhet të ndryshojë. Por janë disa drejtime në të cilat ajo mund të ndryshohet.

1. Kushtetuta mund të ndryshohet duke i hequr privilegjet për komunitetet pakicë, përkatësisht duke e ndryshuar nenin 65.2 i cili u mundëson të drejtën e vetos në ndryshimet kushtetuese. Ky ndyshim duhet të pasohet me ndryshimin e nenit 1.3 që e ndalon bashkimin e Kosovës me pjesë të tjera shqiptare. Këto ndryshime mund të ndodhin vetëm si rezultat i një marrëveshjeje të re ndërkombëtare me Serbinë dhe nën garancinë e SHBA-ve dhe BE-së e që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë

2. Kushtetuta mund të ndryshohet edhe në mënyrë që të akomodojë një asociacion me përgjegjësi ekzekutive, e që në realitet do të ishte një autonomi politiko-territoriale. Këto ndryshime do të mund të ishin pjesë e një marrëveshjeje për normalizim e që sipas të gjitha gjasave nuk përfshin edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë e rrjedhimisht do të nënkuptonte edhe vazhdim i bllokimit të Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Ndryshimet e para do ta bënin Kosovën një shtet funksional e tërësisht sovran me hapje të mundësive për zhvillim, përparim, konsolidim të sundimit të ligjit e luftë kundër korrupsionit. Por do të hapte edhe mundësinë e bashkimit me Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e dyta do ta rrisnin jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe do ta rrisnin ndikimin e Serbisë në të. Nga ato që tha Lajçaku BE dhe Kosova janë nisur në rrugën e dytë. Por aq e dëmshme është ajo për Kosovën sa dështimi i këtij projekti do të na kthej në rrugën e parë. Frika është se duke u vonuar në rrugën e parë, e duke u koncentruar tek asociacioni, do të kemi humbje të cilat nuk do t’i kishim nëse me kohë do ta ndiqnim rrugën e ripërcaktimit të kufijve.”-përfundon ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu