Vazhdojnë protestat e studentëve në Shqipëri, Kryeministri Rama i fton për dialog

Në Shqipëri vazhdon protesta e studentëve të universiteteve publike, të cilët kërkojnë përgjysmimin e tarifave vjetore të studimeve, përmirësimin e kushteve në konvikte, por edhe plotësimin e disa kërkesave të tjera, ndërsa në lidhje me protestën ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestës së studentëve të Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë i janë bashkuar edhe studentë nga universitete në qytete të tjera të vendit.

Studentët kërkojnë përgjysmimin e tarifave vjetore të shkollimit të cilat ndryshojnë sipas universiteteve dhe profileve të studimit, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, rritjen e buxhetit për arsimin, përfaqësim në bordet drejtuese të universiteteve, si dhe kanë edhe kërkesa të tjera.

Fillimisht studentët kanë marshuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ndërsa më pas janë mbledhur para selisë së ministrisë me thirrjet “plotësoni kërkesat” dhe me pankartat me mbishkrimet “Ulni tarifat”.

Studentët protestues gjatë ditëve të protestave vazhdimisht kanë refuzuar thirrjet e Qeverisë së Shqipërisë për të biseduar në lidhje me kërkesat e tyre.

– Kryeministri Rama kërkon dialog

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një komunikim drejtpërdrejt në rrjetet sociale, tha se ka kërkuar që të diskutojë me studentët për kërkesat e tyre dhe sipas tij, dialogu nuk është bërë i mundur deri tani.

“Është e para herë në historinë e protestave ku protestuesit thonë që nuk duam të flasim. Sidoqoftë unë jam këtu dhe besoj shumë fort se dialogu është i domosdoshëm dhe do të vijoj të komunikoj dhe përpiqem të shpjegoj se pse dialogu është rruga. Së pari dua ta theksoj shumë qartë se qeveria nuk kërkon negociata, qeveria kërkon dialog. Studentëve ju them se ka një dallim shumë të thjeshtë. Negociohet mes palëve në konflikt, ne nuk kemi asnjë konflikt. Kemi domosdoshmërinë të bisedojmë”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se është i vetëdijshëm për gjitha kërkesat dhe shtoi se “Nëse protesta nuk është politike, është e atyre që dolën spontanisht në momentin e parë për një arsye të drejtë, atëherë ku është problemi për të diskutuar. Dialogu është një moment komunikimi ku palët flasin, ku palët dëgjojnë e dëgjohen. Problemi do të ishte nëse unë do të thoja jo nuk dua dialog. Po, ka një problem me tarifat, por duhet të ulemi të diskutojmë. Unë jam me çdo student që është aty për veten e tij, për të ardhmen e tij dhe prindërit e tij”.

Protesta e studentëve të universiteteve publike para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë filloi më 5 dhjetor, ndërsa kanë paralajmëruar protestë masive edhe gjatë ditës së nesërme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu