Vetëvendosje dhe LDK janë dakord për bashkëqeverisje, pa pazare politike

Ka përfunduar takimi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa dhe kandidates për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmani. Kryetari i LVV-së njëherësh kandidat për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, tha se është diskutuar për një marrëveshje në mes dy palëve për qeverisjen e ardhshme.

“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë të larta. Ne kemi nisur bisedimet me idenë e përbashkët që të kemi një qeveri më efikase e një shtet më të fuqishëm. Jemi dakorduar që të kemi 30 për qind të përfaqësimit gjinor, minimalisht. Do të kemi shumë pak ministri, e zëvendësministra por do të kemi shumë më tepër angazhim e punë. Ekipet tona do të takohen për t’u dakorduar për programet tona. E uruam njëri-tjetrin për gjithçka sepse jemi pajtuar se do të qeverisim bashkë”, ka deklaruar Kurti.

Kurse Osmani është shprehur se sot kanë diskutuar vetëm në nivel të parimeve e jo edhe për detaje.

“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë për të diskutuar mundësitë e bashkëqeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve e jo të detajeve. Ne si LDK e kemi deklaruar edhe më parë se po e presim rezultatin final. Kushdo që ka fituar do të marrë postin e kryeministrit”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar tutje duhet të pritet rezultati final i zgjedhjeve, megjithatë e rëndësishme është se do të bashkëqeverisin.

“Besoj se do konfirmohet presim rezultatin final të numërimit sepse është respekt ndaj qytetarëve që kanë numëruar dhe diku mbi 20 mijë vota me kusht në momentin që do numërohen ne do ua urojmë njëri-tjetrit kushdo që ka marr vota më së shumti”, ka thënë ajo.

Osmani ka konfirmuar se ekipet e të dyja partive qysh nesër do të vazhdojnë punën.

Kurse Kurti ka theksuar se sot s’kanë diskutuar për emra të përveçëm, derisa ka theksuar se s’do të ketë pazare politike.

“Ne s’kemi diskutuar për emra të përveçëm. Nuk konsiderojmë se është korrekte të iu njoftojmë pa e pasur rezultatin final. Ne do të qeverisim bashkë. Ne pazare politike nuk do të bëjmë, ato pazare politike i keni parë te PAN-i. Ne do të kemi transparencë radikale dhe do të ketë bashkëpunim të hapur pa pazare politike”, ka deklaruar Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu