Mes shumë dilemash dhe tensionesh në Kuvendin e Maqedonisë sot kaloi ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin gjuha shqipe bëhet gjuhë e dytë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, veprim ky i cili po konsiderohet si një arritje e madhe dhe historike e shqiptarëve të Maqedonisë, shkruan InfoShqip.
Lajmi për zyrtarizimin e gjuhës shqipe ka qenë ndër titujt kryesorë jo vetëm në mjetet e informimit në Maqedoni, por edhe në Kosovë e Shqipëri.
Nuk kanë munguar as urimet e liderëve politik, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta kanë uruar shqiptarët e Maqedonisë për këtë arritje
“Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë. Urime!”, u shpreh z.Meta në urimin e tij
Edhe presidenti i Kosovë z.Thaçi shprehu urimet e tij për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, përmes një komunikate thekson se miratimi i Ligjit të gjuhës shqipe vlerësohet si hap shumë i rëndësishëm përpara drejt së ardhmes euroatlantike.
“Miratimi i Ligjit për Gjuhët në Maqedoni, ku tash gjuha shqipe do të përdoret edhe nëpër institucionet më të larta shtetërore, është një lajm i mirë jo vetëm për komunitetin shqiptar atje, por për tërë rajonin tonë. Është një vullnet i mirë për bashkëjetesë, duke respektuar diversitetin kulturor dhe dinjitetin e integritetin e secilit qytetar. I uroj shqiptarët dhe shtetin e Maqedonisë për këtë hap të rëndësishëm përpara edhe drejt së ardhmes euroatlantike”, thuhet në deklaratën e presidentit Thaçi./InfoShqip.com










