Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka realizuar një vizitë zyrtare në Serbi ku është takuar me krerët udhëheqës serb. Gjatë kësaj vizite, Putin ka ritheksuar mbështetjen e Rusisë për Serbinë duke përfshirë këtu edhe rolin që do të ketë Rusia në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Kjo vizitë e presidentit rus në Serbi ka ngjallur reagime në Ballkan dhe jashtë Ballkanit, shkruan lajmi.net.
Shumë njohës të politikës ndërkombëtare janë shprehur skeptikë për seriozitetin që e ka Serbia në politikën e saj pro-evropiane, kjo pasi ka marrëdhënie të jashtëzakonshme me shtetin rus.
E për të diskutuar në lidhje këtë vizitë, lajmi.net ka kontaktuar edhe njohësin e politikës, analistin Arton Demhasaj.
Ai është shprehur se edhe presidenti rus Putin e përkrah dialogun si zgjedhjen e vetme për problemin e Kosovës, por duke e lidhur me rezolutën 1244.
“Në bazë të deklaratës që ka dhënë dje presidenti Putin, e përkrahte dialogun si zgjidhjen e vetme për problemin e Kosovës dhe Serbisë, duke e lidhur gjithmonë këtë me rezolutën 1244. Gjithashtu ka shprehur qartë gadishmërinë për përkrahjen e idesë së korrigjimit të kufijve”, tha Demhasaj për lajmi.net.
Demhasaj gjithashtu është shprehur se Rusia mund të ketë edhe pretendime për ruajtjen ose shtrirjen e mëtutjeshme të ndikimit në Ballkan nëpërmjet Serbisë.
“Rusia mund të ketë pretendime të shtrirjes së ndikimit në Ballkan nëpërmjet Serbisë, por duke marrë parasysh që Serbia është duke insistuar në rrugën e saj drejtë BE-së, atëherë vështirë mund të presim që Rusia mund të ketë ndikim të madh nëpërmjet Serbisë, sepse në qoftë se Serbia hyn në BE, atëherë nuk do të mund të ketë ndikim aq të madh”, është shprehur Demhasaj.
Sipas tij, këtu kemi dy anë të pamjes, Serbia po tenton të ruaj miqësinë shekullore me Rusinë, në anën tjetër po tenton të anëtarësohet në BE, por pas këtij anëtarësimi, ndikimi rus nëpërmjet Serbisë do të zbehet.
E në anën tjetër, analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj është shprehur i brengosur në lidhje me përmendjen e rezolutës 1244 nga presidenti rus.
“Në fakt, ishte mbështetje shumë e madhe për Serbinë, sidomos që disa herë u përmend zbatimi i rezolutës 1244, ne e dijmë se kohët e fundit, nuk është përmendur shpesh rezoluta 1244, madje politikanët tanë na kanë thënë se kjo rezolutë ka vdekur”, është shprehur Mushkolaj për lajmi.net.
Sipas Mushkolajt, ekziston mundësia që marrëveshja e proklamuar midis Kosovës dhe Serbisë që do të arrihet shpejtë mund të zvarritet pas mesazheve të Putinit.
“Ndërkohë që tani Rusia po e kthen në diskutim këtë rezolutë, ekziston mundësia që marrëveshja e proklamuar midis Kosovës dhe Serbisë që do të arrihet shpejtë, të zvarritet pas mesazheve të i dha Putini”, ka vazhduar Mushkolaj.
Mushkolaj ka theksuar se Rusia do të ketë rolin e vet në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Të gjithë ata që mendojnë se Rusia nuk do të ketë rolin e vet në këtë dialog, gabojnë. Primatin do ta kenë SHBA-të, por edhe Rusia do të ketë rolin e vet”, tha Mushkolaj.
Pra sipas tij, përveç mbështetjes për Serbinë është edhe mesazh për Kosovën, edhe për mbështetësit e Kosovës, për çështjen e dialogut, duke lënë të nënkuptohet se marrëveshja përfundimtare nuk mund të arrihet në dëm të Serbisë.
Ndërsa njohësi i politikave ndërkombëtare, Avni Mazreku, është shprehur se presidenti rus ka tendencë që të kthehet si faktor i rëndësishëm në Ballkan.
“Duke i parë edhe vet titujt e marrëveshjeve që janë proklamuar se kanë ndodhur midis Rusisë dhe Serbisë, Rusia tenton të zbarkoj me gjithë potencialin e vet që ka.
“Ndër marrëveshjet e tjera që janë përfshi në vizitën e Putinit në Serbi, flitet edhe për një marrëveshje që ka të bëjë me hapësirën kozmike dhe një marrëveshje tjetër që ka të bëjë me fushën e energjisë atomike”, është shprehur Mazreku.
Mazreku duke përmendur rastin e Ukrainës lindore dhe Krimesë ka treguar se cila është strategjia ruse për shtrimin e ndikimit në pjesë të ndryshme të botës.
“Rusia është e njohur në botë dhe të gjithë aleatët e saj, kur provon të shndërroj një faktor ose element të vetin atë shtet, atëherë me atë shtet përfshinë marrëveshje të energjisë atomike duke dashur të demonstroj se Rusia dëshiron të mbetet faktor i rëndësishëm në atë pjesë të botës. Fatkeqësisht një tendencë të tillë e kemi parë në Ukrainën lindore dhe Krime, gjë që i ka mundësuar Rusisë dalje në ujëra të nxehta”, është shprehur Mazreku për lajmi.net.
E sipas Mazrekut, faktori i tretë gjeostrategjik që Rusia e ka përdorur edhe gjatë historisë është të prekë në pikat e konflikteve të pazgjidhura siç është në këtë rast konflikti midis Kosovës dhe Serbisë, dhe këtu Rusia tenton të manifestoj vetën si faktor.
Ndërsa Mazreku është shprehur se edhe fragjiliteti i Bashkimit Evropian dhe mungesa e kapacitetit me u marrë me problemet evropiane e gjithashtu politika e Trump-it në Amerikë i kanë mundësuar Rusisë të luaj këtë lloj loje.
“Hapat e tjerë, në qoftë se do të ketë inercion, çfare në fakt ka, një fragjilitet i Bashkimit Evropian, mungesë kapaciteti me u marrë me problemet e shteteve evropiane siç është çështja e Ballkanit e që pothuajse BE ka dështuar tërësisht dhe lëvizjet që mund të interpretohen si izolacioniste të SHBA-ve, sepse doktrina Trump tani është e qartë, pasi çdo ushtar amerikan që gjendet jashtë Amerikës do të tentohet të kthehet në atdhe, për mendimin tim, krijojnë hapësirë të mjaftueshme Rusisë për shtrirje të mëtutjeshme të influencës destruktive dhe agresore të saj”, tha në fund Mazreku. /Lajmi.net/










