Vizita e Ramës në Kosovë, Kurti vë kushte: S’ka takim, më parë mbledhja e dy qeverive që e anulloi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka vënë kushte homologut shqiptar, Edi Rama, i cili do të shkojë nesër për një vizitë zyrtare në Kosovës. Në një konferencë për shtyp, ku ka treguar se çfarë ka diskutuar dje me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, e gjithashtu u ndal edhe tek vizita e Ramës. Në fjalën e tij, Kurti përmendi mbledhjen e dy qeverive, e cila u anulua vetëm disa orë para se të niste në qytetin e Gjakovës, kështu që shtoi se i kishte kërkuar zhvillimin e takimit. Në të kundërt, nëse Rama nuk pranon, Kurti shtoi se as ai nuk do të ulet në tryezë me kreun e qeverisë shqiptare.

“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua,“-tha ndër të tjera në fjalën e tij, Albin Kurti.

Vizita e Ramës në Kosovë, vjen në kuadër të një turi që kreu i shtetit shqiptar e ka ndërmarrë vetë për të “prezantuar” Procesin e Berlinit, pasi po ashtu vetë njoftoi përfundimin e nismës “Ballkani i Hapur”. Edhe pse jo të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor ishin pjesë e nismës që mbante firmën e Ramës, presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sërish kreu i qeverisë i ka përfshirë në turin e tij që do nisë nesër.

Megjithatë vendimi i pak javëve më parë mund t’i kushtojë takimin me Kurtin. Më 13 qershor, Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri për shkak të agravimit të Kosovës me bashkësinë euroatlantike. Kryeministri Rama njoftoi se shkak u bë refuzimi i Albin Kurtiti për të mbajtur një takim më të ngushtë për të diskutuar situatën në veri. Kreu i qeverisë tha se aleatët kanë përgatitur masa shumë të rënda për Kosovën, por ai u ka kërkuar që t’i shtyjnë me shpresën se mund të negociojë me Kurtin për të depërshkallëzuar situatën. Madje dhe prezantoi se kishte ideuar edhe një draft, pa dijeninë e Kurtit dhe të Vuçiç, për të rregulluar çështjen e tensioneve mes tyre. Draftin zbuloi se ia kishte nisur presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Disa ditë më pas, Kurti e ironizoi duke pyetur publikisht nëse kishte kërkuar edhe asocacionin e komunave shqiptare në Serbi. Që nga përplasjet e fundit, kryeministri Edi Rama është parë i afërt me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën shkoi edhe në Mal të Zi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu