Vizita e Vjosa Osmanit në Tetovë ka shkaktuar përplasje politike

Pritja e presidentes së Kosovës ditë më parë në Tetovës, ka shkaktuar tensione mes VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes BESA në këshillin komunal. Këshilltarët e VMRO-së akuzuan kreun e komunës Bilall Kasami për shkelje kushtetuese me mos respektimin e gjuhës maqedonase në bilbordet ku i dëshirohej mirëseardhje Vjosa Osmanit.

“Dje në komunën e Tetovës patëm mënyrë skandaloze të pritjes së presidentes së Kosovës dhe të njëjtën e dënojmë ashpër. VMRO, apelon institucionet e vendit të drejtuara nga LSDM dhe BDI që menjëherë të marrin masa dhe të veprojnë sipas Kushtetutës për vënien e bilbordeve vetëm në gjuhën shqipe.

Pritja e djeshme e presidentes së Kosovës nuk ishte në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, te e cila theksi vihet tek multietniciteti dhe bashkëjetesa. Nuk duhet harruar kurrë se Tetova është qytet në Maqedoni dhe ku jetojnë edhe maqedonasit dhe etnitetet e tjera si dhe në këtë qytet gjuha zyrtare është gjuha maqedonase”, deklaroi Angel Karapetrov, VMRO.

Kreu i këshillit komunal të Tetovës, Besar Durmishi, reagimin e VMRO-së e cilësoi si veprim të ulët për politika ditore.

“Nuk e di arsyen se përse kanë bërë ankesa të tilla dhe përse merren me politika të ulëta ditore që nuk i bëjnë mirë qytetit dhe nuk i bëjnë mirë vendit. Por është edhe një fakt tjetër që Tetova është qytet me shumicë shqiptare dhe është realitet që dihet pa marrë parasysh se dikush ndjehet mirë apo keq”, deklaroi Besar Durmishi, kryetar i Këshillit komunal të Tetovës.

Një ditë më parë rinia e VMRO-DPMNE-së në Tetovë, në hyrje të qytetit, vendosi mbishkrime “Tetova është zemra e Maqedonisë”, si shenjë proteste ndaj bilbordeve vetëm në shqip. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu