Vjen së shpejti një marrëveshje e re me Iranin, e cila do të heqë sanksionet

Një propozim evropian për të ringjallur marrëveshjen bërthamore midis vendeve perëndimore dhe Iranit do të arrihet së shpejti dhe do të përfshijë lirimin e miliarda dollarëve në asetet e ngrira iraniane dhe eksportet e naftës, në këmbim që Teherani të kufizojë programin e tij bërthamor.

Marrëveshja e re do të zbatohet në katër faza në dy periudha 60-ditore, sipas burimeve të njohur me marrëveshjen e propozuar.

Irani kohët e fundit ka qenë optimist për arritjen e një versioni të rinovuar të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 që nënshkroi me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore, të quajtur zyrtarisht Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Këshilltari i ekipit iranian të negociatorëve, Mohammad Marandi, tha në fillim të kësaj jave se “ne jemi më afër se kurrë” për arritjen e një marrëveshjeje dhe se “problemet e mbetura nuk janë të vështira për t’u zgjidhur”.

Eksportimi i naftës dhe lirimi i parave

“Teksti përfundimtar” i Bashkimit Evropian i paraqitur si propozim javën e kaluar është miratuar nga SHBA, të cilat kanë thënë se janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje shpejt nëse Irani e pranon atë.

Sipas burimeve të njohura me situatën, propozimi parashikon heqjen e sanksioneve ndaj 17 bankave iraniane dhe 150 institucioneve ekonomike në të njëjtën ditë kur nënshkruhet.

Thuhet gjithashtu se Teherani do të fillojë menjëherë të zvogëlojë veprimet e ndërmarra më herët për të zhvilluar teknologjinë bërthamore që tejkaloi kufijtë e marrëveshjes origjinale të vitit 2015.

Brenda 120 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, Irani do të lejohet të eksportojë 50 milionë fuçi naftë në ditë. Marrëveshja parashikon gjithashtu lirimin e 7 miliardë dollarëve të fondeve që aktualisht janë të bllokuara në Korenë e Jugut, sipas burimeve të paidentifikuara.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu