VLEN ka reaguar kritikisht ndaj, siç thotë, përpjekjeve të vazhdueshme të BDI-së për të manipuluar opinionin publik përmes protestave dhe kauzave të rreme politike. Nga VLEN vlerësojnë se çdo përpjekje e fundit e BDI-së ka përfunduar me dështim dhe me humbje të besimit të qytetarëve.
“Asgjë nuk po u shkon për dore. Provuan me tenda në shesh, gjoja për mbrojtjen e gjuhës shqipe, e përfunduan me non grata. Provuan me letra drejtuar ndërkombëtarëve dhe morën zero përgjigje. Provuan me mashtrimin politik të quajtur “referendumi” dhe humbën me 10 komuna në konto të VLEN-it. Në fund, tentuan të shpëlahen në kurriz të studentëve. Edhe kjo u dështoi. Protesta përfundoi, por maskat ranë për të satën herë. Mund të bërtasin sa të duan, por e vërteta është një. Studentët kërkuan provimin e jurisprudencës në shqip, një mundësi që deri sot nuk ka ekzistuar. VLEN iu qas këtij problemi në rrënjë. Prandaj, zgjidhja nuk do të ndalet vetëm te jurisprudenca. Të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe. Kur VLEN e merr një problem në dorë, ai nuk mbetet në sirtar”, thonë nga VLEN.
Nga VLEN theksojnë se provimet profesionale mjekësore u zgjidhën. Edukatoret në çerdhe e morën të drejtën e tyre. Medreseja mori zgjidhje dinjitoze. Kazinotë po largohen prej aty ku nuk e kanë vendin. Kështu punohet kur ka vullnet.
“Problemet që BDI i la peng me vite, VLEN po i mbyll një nga një. Gjithçka që la BDI këto 20 vite, janë çështje o të pazgjidhura ose gjysmake. BDI mund të bërtasë, të manipulojë dhe të fshihet pas kujtdo, por koha e tyre ka përfunduar. Agallëku politik përfundoi me BDI-në në opozitë”, thonë VLEN.










