Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj BDI, duke e akuzuar për dështime të njëpasnjëshme gjatë dy dekadave në pushtet.
Sipas VLEN-it, BDI për 20 vjet ka qenë pjesë e qeverive, herë me LSDM-në e herë me VMRO-DPMNE-në, por, siç thuhet në reagim, “përtej populizmit bosh, të ashtuquajturat arritje për shqiptarët nuk patën kurrëfarë peshe reale politike”.
Koalicioni thekson se tani po dalin në pah, sipas tyre, manipulimet e kësaj partie, duke shtuar se në vend të zgjidhjeve afatgjata për të drejtat e shqiptarëve, janë lënë “mjete të mangëta e gjysmake” që kanë shërbyer si mbulesë për pasurim të paligjshëm të funksionarëve.
VLEN gjithashtu e cilëson si “ofenduese” tezën se Marrëveshja e Ohrit respektohet dhe se rruga evropiane dhe partneriteti me SHBA-të ruhen vetëm kur BDI është pjesë e qeverisë. Sipas tyre, ky narrativ është një përpjekje e Ali Ahmeti për të mbetur politikisht relevant.
Në reagim përmendet edhe emri i Artan Grubi, për të cilin thuhet se “si kutia e zezë e BDI-së mban peng të paktën pesë funksionarë aktualë partiakë”.
VLEN vlerëson se BDI tashmë ka paguar çmimin në zgjedhjet lokale për, siç thonë, “nënçmimin e inteligjencës së shqiptarëve”, por shton se kjo parti ende nuk ka reflektuar.
Në fund, koalicioni thekson se po jep “një leksion të vërtetë” për mënyrën se si duhet të trajtohen çështjet me interes të lartë për shqiptarët.










