Gjatë një konference të dhënë sot për media, VLEN ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së rreth Marrëveshjes së Ohri, transmeton InfoShqip.com
Reagimi i plotë i VLEN
Njëzet e pesë vjet më parë, Marrëveshja e Ohrit e ndryshoi arkitekturën politike dhe juridike të shtetit.
Por historia na mëson se marrëveshjet, sado të drejta të jenë në letër, mund të devijohen në praktikë. Mund të relativizohen dhe të zbehen kur mungojnë kultura dhe morali politik.
Pikërisht këtu qëndron sprova më e madhe që ka kaluar Marrëveshja e Ohrit. Jo te nënshkrimet që qëndrojnë poshtë saj, por te mënyra se si ajo u përvetësua padrejtësisht nga një parti e vetme dhe u shndërrua në kapital politik.
Në emër të kësaj marrëveshjeje dhe të sakrificës që qëndron pas saj, lindën kolltukofagë, njerëz të mpirë nga pushteti. Në emër të saj lindën milionerë, u ngritën biznese familjare dhe u ndërtua një sistem që u shërbente një grusht njerëzish.
Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së. Nuk është pronë e Ali Ahmetit e as trashëgimi familjare e klikës së tij. Ajo është arritje historike e shqiptarëve.
BDI-ja për më shumë se dy dekada kishte pushtet deri në fyt. Kishte ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë dhe funksionarë në çdo cep të shtetit.
Po të donin, sot përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të ishte i garantuar me ligj. Decentralizimi do të ishte çështje e kryer.
Por nuk e bënë as njërën, as tjetrën.
Të drejtat e shqiptarëve nuk shkojnë në opozitë bashkë me BDI-në. As Marrëveshjen e Ohrit nuk mund ta marrë Ali Ahmeti me vete në opozitë.
Kjo përrallë nuk pi më ujë.
VLEN-i nuk e kujton Marrëveshjen e Ohrit vetëm kur vjen përvjetori. Për ne, ajo është obligim për punë konkrete.
Kjo do të thotë që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat të mbrohet me ligj. Miratimi i këtij ligji nuk është vetëm zbatim, por edhe avancim i Marrëveshjes së Ohrit.
Do të thotë decentralizim i mirëfilltë, me më shumë kompetenca dhe mjete financiare për komunat, gjë që po e bëjmë si asnjëherë më parë, me mbi 1.200 projekte.
Njëzet e pesë vjet më vonë, është koha t’ia rikthejmë dinjitetin Marrëveshjes së Ohrit. Jo vetëm si dokument juridik dhe marrëveshje që i dha fund konfliktit, por si arritje historike e shqiptarëve, e mishëruar në rendin kushtetues dhe si zotim i përhershëm për barazi.”










