VMRO, kandidatë për Qeverinë teknike, emrat shpallen pas 19 janarit

VMRO DPMNE do t’i shpallë kandidatët për ministra në Qeverinë teknike pas datës 19 janar. Kryetari i partisë, Hristian Mickoski, tashmë ka deklaruar se personalisht është për pjesëmarrjen e opozitës në Qeveri të tillë, por qëndrimin duhet ta vërtetojnë edhe organet partiake. Mickoski në intervistë për “Pres24” nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe një herë ministër teknik i Punëve të Brendshme të jetë Naqe Çulev. Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se VMRO DPMNE mbetet në qëndrimin e shfuqizimit të qeverisë teknike dhe kjo nuk do të ndryshojë nën presionin e BDI-së. Në të njëjtën kohë, kreu i opozitës ka drejtuar kritika ndaj partisë së Ahmetit.

“..në fakt janë hajdutë që merren me tenderë dhe provizione. Tani, për shkak të dobësisë së LSDM-së, qeverinë teknike e bënë pazar dhe nxorën kryeministër teknik. Pikërisht për këtë kemi luftuar dhe kemi propozuar heqjen e qeverisë teknike”, tha Hristian Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Funksionimi i Qeverisë teknike duhet të jetë temë kryesore e takimit Kovaçevski-Mickoski kurse data ende nuk është caktuar.

“Nuk e di për Kovaçevskin, por nuk kam asgjë sekrete për të ndarë. Unë e kuptoj atë. Ai dëshiron që të kemi takim, pastaj u thotë atyre gjëra që nuk kanë ndodhur në partinë e tij, për të krijuar shpresa të rreme dhe kështu të krijojë pamjen e një lloj uniteti, në mënyrë që të mbështesë partinë në të cilën ka pakënaqësi të dukshme në disa baza”, shtoi Hristian Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“Nuk e shoh të nevojshme të kemi takime të fshehta. Kur të kemi takim, i njëjti do të bëhet në hapësirë publike, qoftë në Klubin e deputetëve, qoftë në Kuvend apo në rrugën “Maqedonia” në kafene. Kemi komunikim në nivel partiak, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së është në komunikim të rregullt me nënkryetarin e LSDM-së”, theksoi Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

Kryeministri Kovaçevski tha se Qeveria teknike do të votohet në Kuvend deri më 28 janar, gjegjësisht 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 8 maj. Ndonëse priten më shumë detaje lidhur me ecurinë e zgjedhjeve, Kovaçevski tha se për shkak të festave të Vitit të Ri ende nuk kanë biseduar me përfaqësuesit e BDI-së për lista të përbashkëta të mundshme./Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu