VMRO kërkon pas procedurës për ndryshime kushtetuese të shkohet në zgjedhje të parakohshme

VMRO-DPMNE-ja sfidon pushtetin me numrin e nevojshëm të deputetëve për të miratuar ndryshimet kushtetuese. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski i propozon pushtetit që të nisë procedurën për ndryshime dhe në rast se nuk ka vota, Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithëse partia e Hristijan Mickoskit vlerëson se LSDM-ja frikësohet nga zgjedhjet parlamentare për një arsye të vetme.

“LSD-ja anti-maqedonase frikësohet nga zgjedhjet sepse e di se Kovaçevski asnjëherë më nuk do të jetë kryeministër. Disfata e LSD-së në Tetovë do të jetë disfatë e tyre në të gjithë Maqedoninë. Me kundërshtimin e idesë për zgjedhje dhe duke iu shmangur ballafaqimit me popullin, LSD-ja dëshmon se sa mizore dhe vetjake është si parti. Për një ditë më shumë në funksion janë të gatshëm ta bankrotojnë shtetin”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Por Socialdemokratët akuzojnë për të kundërtën. Sipas pushtetit nga humbja në Komunën e Mavrovë-Rostushës, Mickoski nuk po arrin të merr vetën dhe po e sundon heshtja zgjedhore.

“Me ditë të tëra Hristijan Mickoski hesht për rezultatin nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në të cilat VMRO-DPMNE-ja përjetoi debakël. Mickoski është i tronditur nga shuplaka e popullit, rënia drastike e numrit të votave të VMRO-DPMNE-së dhe ballafaqimi i parë zgjedhor me LSDM-në që kur në krye të partisë është Dimitar Kovaçevski”, reaguan nga LSDM.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ditë më parë deklaroi se ndryshimet kushtetuese me qëllim hapjen e kapitujve me BE-në duhet mbështetur nga 120 deputetë të Kuvendit, duke mos treguar nëse pushteti është duke punuar në sigurimin e 80 votave të nevojshme ose jo.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu