Kryeministri Zoran Zaev nuk mund të konfirmojë nëse ka siguruar shumicë prej dy të tretash për votimin e fazës finale të ndryshimeve kushtetuese. Seanca kuvendore e caktuar për më 9 janar nuk do të zgjasë dhjetë ditë siç parashikohet, pasi VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk do të marrë pjesë në debat. Zaev megjithatë është optimist se procesi do të arrijë në finale.
Do të bëj gjithçka deri në momentin e fundit, për të siguruar shumicën e dy të tretave dhe këtë do t’ia njoftojmë publikut në momentin e votimit, ose do ta ndajmë kënaqësinë, ose do të marrim përsipër përgjegjësinë e gjithë këtij fokusi që e dhamë në integrimin. Por, edhe një herë përmend se jam optimist- deklaroi ZORAN ZAEV.
Zaev konfirmoi se nesër do të takohet me Bilall Kasamin për të shqyrtuar kërkesat e BESË-s që i shtroi si kusht me qëllim që partia e tij të votojë ndryshimet kushtetuese. Zaev thotë se e sheh anën pozitive të situatës dhe se partitë opozitare shqiptare janë mbështetës të rrugës evropiane të Maqedonisë.
Nesër kam caktuar takim me Bilall Kasamin e BESË-s, ku do të diskutojmë gjithçka që ai mendon se duhet të diskutojmë. Dhe jam i kënaqur që këto dy parti politike që janë pjesë e opozitës shqiptare, siç është BESA, e udhëhequr nga Bilall Kasami dhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela, janë gjithashtu mbështetës të proceseve integruese të Maqedonisë, NATO-s dhe BE-së- tha ZORAN ZAEV.
Kryeministri Zaev thotë se jo vetëm ai, por edhe partia e tij nuk mendojnë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për amnistinë dhe ndryshimet e Ligjit për procedurën penale, Zaev tha se do të bëjë gjithçka, për të kaluar Marrëveshja e Prespës. Ai garanton se në shkurt, derisa zgjatë ratifikimi i marrëveshjes, Maqedonia do të marrë karrigen dhe vendin e merituar në NATO.
Video:










