Vuçeviq: “Ushtria e Serbisë është dislokuar në pozicione drejt vijës administrative me Kosovën”

Vuçeviq, me rastin e ngritjes së gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe për shkak të situatës në Kosovë, tha se pas skenave dramatike në Kosovë dhe përkeqësimit drastik të situatës së sigurisë,Presidenti i Republikës si komandant suprem dha urdhër për ngritjen e shkallës së gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.

“Kjo do të thotë se pak para orës 14:00, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë ka lëshuar urdhër të mëtejshëm që njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë të zënë pozicione të caktuara që ishin të përcaktuara në përputhje me planet tona të mbrojtjes, planet strategjike si dhe veprimet operativo-taktike të Forcave të Armatosura të Serbisë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”, tha Vuçeviq.

Sipas deklaratës, Ushtria Serbe është e dislokuar në pozicionet që janë në vijën administrative me Kosovën dhe zë pozitat e saj, të cilat në dokumentet ushtarake janë të specifikuara si pozicionet e ushtrisë serbe në situata të tilla.

“Nga mëngjesi i sotëm me të vërtetë gjithçka shkoi keq, për fat të keq, ndodhi ajo që Presidenti i Republikës tha dhe paralajmëroi ditët dhe javët e kaluara se Kurti nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të kryejë aktivitete që synojnë rrezikimin e mëtejmë të komunitetit serb”, tha Vuçeviq.

Ai theksoi se po tentohet të “pushtohen të gjitha komunat në veri të Kosovës nga të ashtuquajturit liderë komunalë absolutisht jolegjitimë dhe të zgjedhur ilegalisht, nën patronazhin e të ashtuquajturës polici e Kosovës, përkatësisht njësitet speciale të policisë së Prishtinës”.

“Fatkeqësisht, përshtypja ime është një reagim i butë i EULEX-it, një reagim mjaft konfuz i KFOR-it. Ushtria serbe është në kontakt me KFOR-in dhe presim që KFOR-i të jetë shumë më i përfshirë në terren dhe të garantojë siguri, liri dhe të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët”, tha Vuçeviq.

Në situata të tilla, thekson ai, “është momenti që EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash KFOR-i të tregojnë kapacitetin e tyre të plotë dhe të mos lejojnë të vazhdojë persekutimi i serbëve”.

“Fakti që dikush do të shpjegojë dhe paralajmërojë të dyja palët, dhe se u vjen keq për ngjarjet, nuk e di se çfarë lloj ngjarjesh, ne nuk kemi kohë të dëgjojmë ato fraza dhe njoftime të thjeshta teknologjike të pakuptimta. Serbia është plotësisht e përkushtuar për vazhdimin e dialogut, ne nuk duam një përshkallëzim të konfliktit, ne nuk duam luftëra, ne nuk luajmë lojëra të ndryshme”, thotë Vuçeviq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu