Shefi i grupit parlamentar “Sërbia Fiton”, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar mundësinë e hyrjes në grevë urie si formë e luftës kundër qeverisë së re, duke thënë se, nëse merr një vendim të tillë, do të jetë plotësisht i vendosur.
“Nuk do të marr terapi, nuk do të marr asgjë. Çështja është se kur do të hyj në grevë urie. Pasi të filloj, nuk ka kthim prapa. Do t’u ndaloj mjekëve të më japin çfarëdo ndihme. Do të jem plotësisht i vendosur, por kjo do të jetë lufta ime kundër tyre”, deklaroi Vuçiq për televizionin Informer, i cili e publikoi deklaratën në faqen e tij të internetit mëngjesin e sotëm.
Vuçiq tha se nuk ka asnjë mënyrë për ta heshtur apo për ta mposhtur politikisht.
Ai theksoi se është veçanërisht i shqetësuar për atë që i ka ndodhur pronarit dhe kryeredaktorit të Informer, Dragan J. Vuçiqeviq, duke pretenduar se nuk ekziston asnjë arsye për arrestimin e tij.
“E di që nuk kanë për çfarë të më arrestojnë. Nuk kam marrë kurrë para, as mëditje, asgjë”, deklaroi Vuçiq.
Në një paraqitje televizive të shoqëruar me akuza dhe fyerje, Vuçiq pretendoi se kundërshtarët politikë do të përpiqen ta vrasin ose arrestojnë. Ai zbuloi gjithashtu se kishte paralajmëruar familjarët e tij që të përgatiteshin për më të keqen.
Vuçiq përsëriti edhe akuzat ndaj Kroacisë për përfshirje në organizimin e një „revolucioni me ngjyra“ dhe për drejtimin e Serbisë, ndërsa foli edhe për reparacione të luftës nga Kroacia.










