Vuçiq në aksion: Nëse taksa nuk hiqet deri më 6 maj, dalim me masa kundër Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar Kosovën duke dhënë edhe ultimatum për heqje të taksës.
Vuçiq i cili me muaj të tërë është ankuar tek Bashkimi Evropian se Kosova ka bërë padrejtësi ndaj Serbisë me taksën 100 për qind, tani ka dhënë ultimatum me kërcënime ndaj Kosovës.

“Nëse taksa ndaj mallrave serbe nuk hiqet deri më 6 maj, do të mbahet një seancë speciale e Komitetit Kryesor të SNS, në të cilin do të dalim me masa kundër Prishtinës”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se atëherë do të jenë gjashtë muaj që kur Prishtina vendosi taksa për mallrat nga Serbia.

Thirrje për heqje të taksës 100 për qind ndaj Serbisë i kanë bërë Qeverisë së Kosovës shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se heqja e taksës do të ndodhë vetëm pas njohjes së Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar.

Në fund të këtij muaji, me datën 29 në Berlin të Gjermanisë do të mbahet një takim i liderëve të Ballkanit me organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron.

Sipas ekspertëve të politikës në Evropë, ky takim mund të shfrytëzohet edhe për afrimin e qëndrimeve midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket dialogut dhe një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve.

Por, në të dy shtetet, Kosovë e Serbi, liderët janë shprehur skeptik sa i përket ndikimit që do të ketë ky takim ani pse është i organizuar nga dy liderët më të fuqishëm të Evropës. /Lajmi.net/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu