Pas takimit në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se Beogradi dhe Prishtina nuk janë afër zgjidhjes së problemit mes tyre, madje ai thotë se frikësohet që ‘e keqja do t’i gjejë serbët nga ajo marrëveshje’ – raporton Periskopi.
Vuçiq sërish duke u shtirë si i vetmuar e viktimizuar para ndërkombëtarëve ka deklaruar se dy vendet nuk kanë zgjidhje tjetër, përveç vazhdimit të dialogut.
“E pash sot Thaçin në drekë, por nuk biseduam. Aty ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Maqedonia, Mali i Zi e Bosnja dhe Hercegovina. Takimi i sotëm ishte shumë i rëndësishëm për ne dhe për të ardhmen evropiane të vendeve tona”, citojnë mediet serbe Vuçiqin.
Ai shtoi se gjatë ditës së sotme ka pasur edhe një bisedë mjaft të hapur me Mogherinin.
“Ishte një bisedë mjaft e hapur edhe efektshme. Theksova që ende duhet shumë punë për përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. E paralajmërova Mogherinin që Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun, në momentin që hiqet taksa 100 % për produktet serbe. Ky qëndrim i yni nuk ndryshon. Për ne është e rëndësishme të zhvillojmë ekonominë tonë dhe të ndërtojmë raporte rajonale të qëndrueshme, sepse edhe po të ishte gjithçka në rregull dhe nëse ne bëhemi pjesë e BE’së më 2025, edhe pse raportet e tensionuara me Prishtinën nuk mund ta garantojnë një gjë të tillë, s’kemi zgjidhje tjetër, përveç zhvillimit ekonomik”, ka thënë tutje Vuçiq.
Sipas tij, Serbia ka mbetur në pozitë të vështirë dhe e vetmuar sa i përket çështjes së Kosovës, pasi thuajse të gjitha vendet e rajonit e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.
“Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia tashmë kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, dhe njëjtë do të vepronte edhe Bosnja e Hercegovina po t’ia lejonim ne një gjë të tillë. Ne po përpiqemi t’i përmirësojmë raportet tona, por dalin pengesa të tilla si taksat, të cilat nëse hiqen mundësojnë vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e një zgjidhjeje. Nuk dua të prishim punë, andaj do të vazhdojmë të punojmë”, shtoi ai.
Pas paralajmërimit për përfshirjen e ShBA’së në dialog, Vuçiq tha se do të ishte e mirë sikur të përfshiheshin edhe rusët e kinezët./PERISKOPI










