Vuçiq thotë se Serbinë e presin ditë të vështira lidhur me Kosovën, tregon sa vende kanë tërheq njohjen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se Serbinë e presin sfida të vështira lidhur me Kosovën, ndërsa ka theksuar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe se shteti i dhjetë është ende në pritje.

Në konferencën vjetore për shtyp, Vuçiq theksoi se 106 vende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa 84 e pranojnë pa mëdyshje, kurse tri shtete “nuk janë të qarta”.

“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, tha Vuçiq.

Siç raporton “Danas” Vuçiq deklaroi se” Serbia vështirë mund t’i kundërshtojë përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, por se situata është ndryshe në Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO)”.

Ne do të luftojmë, pasi që dy të tretat e votave duhen për anëtarësim në UNESCO dhe do të jetë pak më e vështirë për ta”, tha Vuçiq.

Ai tha se në janar “po pret që ekspertët (nga Perëndimi) të vijnë dhe t’i shpjegojnë se pranimi i hyrjes së Kosovës në OKB është e vetmja rrugëdalje e mundshme për Serbinë”.

Të kundërtën e asaj që e tha Vuçiq e thotë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, sipas së cilës vendin ton deri më tani e kanë njohur 106 vende.

Gjatë konferencës për media në Beograd, Vuçiq gjithashtu tha se këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar.

Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për coronavirus.

Vuçiq tha se pas zyrtarit amerikan, Serbinë do ta vizitojnë edhe negociatorët evropianë.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë do të qëndrojnë në Beograd në përpjekje për të përshpejtuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të Bashkimit Evropian. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

“Ne i përmbahemi Kushtetutës sonë dhe jemi të gatshëm të diskutojmë për zgjidhje të panumërta kompromisi”, tha Vuçiq kur u pyet se cila ishte zgjidhja e pranueshme për Beogradin kur bëhet fjalë për Kosovën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu