Vulin me mesazhin e Putinit në Beograd: Kufirin me shqiptarët ta vendosim në Ibër

Dy ditë pas ultimatumit të BE-së, që Serbia duhet të shkëpusë marrëdhëniet me Rusinë, një njeri i afërt me Aleksandër Vuçiçin, ka kërkuar që Beogradi të mos afrohet me Europën.

Është Aleksandër Vulin, ministri i Brendshëm i Serbisë, i cili në një intervistë për gazetën serbe Novosti, ka deklaruar se Serbia duhet të vendosë një kufi të qartë e të hekurt me shqiptarët. Kufirin ai e mendon në lumin Ibër, ku dhe prej vitesh realisht Kosova është e ndarë.

Vulin, që njihet edhe si biri politik i Mira Markoviçit, gruas së Sllobodan Millosheviçit, ka pasur gjithmonë poste të larta në qeverinë e udhëhequr nga Partia Progresiste e Aleksandër Vuçiç.

Ai sapo është kthyer nga Moska, e duket se ka marrë mesazhin politik për të treguar se është një i preferuar i Putinit, ndaj duhet të emërohet sërish në qeveri.

Ata njihen edhe si dy shokë e miq të afërt, të cilët u ngjitën në pushtet nga sfera e asaj politike që gjatë luftës së Kosovës ishte në krah të Milosheviçit.

Të premten pritet të miratohet qeveria e re e Serbisë, e nëse Vulin qëndron ministër pas kësaj, kuptohet qartë se çfarë qëndrimi do të marrë Beogradi.

“Nuk është çështja nëse duam të anëtarësohemi në BE, është çështja nëse BE-ja e do Serbinë. Duke gjykuar nga shantazhi i çmendur që po na ekspozojnë për të njohur Kosovën, për të shfuqizuar Republikën Srpska dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ata nuk na duan”, tha Vulin për ‘Veçernje Novosti’.

Ai tha se BE-ja si aleancë është “një skemë e së kaluarës, sepse me humbjen e pavarësisë politike, vendet e BE-së u bënë territore, jo shtete. Sa më shpejt të pranojmë se ata nuk na duan dhe se ne nuk i përkasim atyre, aq më mirë do të jemi. Qëndrimi ndaj BE-së nuk është çështje emocionesh, por vendimesh racionale”, tha Vulin, i cili vijoi edhe më ashpër:

“Me daljen e Britanisë së Madhe, BE-ja u shndërrua në një klub vendesh që vendosën një divizion pranë Stalingradit dhe një politikë të tillë po e ndjekin tani”, tha ai.

I cili deklaroi hapur qëndrimin e tij se “miqësia me Rusinë është e rëndësisë së madhe dhe se pa të, rrezikojmë zhdukjen fizike të Serbisë. Si do të sillen miqtë tanë që nuk e njohin Kosovën, apo e kanë tërhequr njohjen e saj, kur të shohin tërheqjen tonë. Si do të luftojnë ata për ne, nëse ne nuk luftojmë për vetën tonë”, tha Vulin, i cili shtoi se kur Rusia nuk është në një tryezë të madhe të fuqive botërore nuk ka as Serbi.

“Asnjëri që e do Rusinë, nuk e urren Serbinë, e kjo është arsyeja pse të gjithë ata që e urrejnë Rusinë e urrenin edhe Serbinë. Marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe vendet e tjera të lira që na pranojnë pa shantazhe dhe kushte janë e ardhmja e Serbisë. Pse gjeografikisht duhet të jemi pjesë e çdo aleance. Mjafton të ndajmë besimet, ekonominë, sigurinë dhe jo domosdoshmërisht kufijtë”.

Ndërkaq, pyetjes specifike, se si mendon ai për propozimin e Solac dhe Macron për të zgjidhur nyjën e Kosovës, ku ofrohet një përfitim i konsiderueshëm ekonomik dhe një rrugë e përshpejtuar drejt BE-së nëse Beogradi nuk bllokon anëtarësimin e Prishtinës në OKB, Vulin ju përgjigj egërsisht:

“Nëse më pyesni mua për qëndrimin tim, vetëm ndarja, vetëm ndarja fizike me shqiptarët, vetëm një kufi i qartë dhe i mbajtur fort e ndal “Shqipërinë e Madhe”, dhe kjo e vendos përfundimisht në rendin e ditës çështjen e bashkimit të serbëve”, tha Vulin.

Reagimi ndaj Vulin ka qenë shumë i ashpër nga pjesa opozitare dhe liberale e Serbisë.

Një titull kryesor i gazetës ‘Danas’ të Beogradit, që konsiderohet si liberale dhe europeiste theksohet se “Daljet publike të Vulin janë të çmendura dhe të rrezikshme”

Një figurë kryesore e opozitës serbe, Radomir Lazoviç, ka deklaruar se “Partia Progresive Serbe me satelitë është pengesa më e madhe për integrimin evropian, e kjo tezë i mundëson asaj të fitojë zgjedhjet”, tha ai.

“Është një qëndrim legjitim, por i dëmshëm dhe i gabuar. Edhe pse e kuptoj pse e thotë këtë, sepse Vulin e di se nëse Serbia vërtet miraton standardet evropiane, për shembull, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, anëtarët e regjimit të SNS do të jenë pas hekurave dhe nëse zbatohen standardet në lirinë e medias, ata kurrë nuk do të mund t’i fitojnë zgjedhjet”, tha për ‘Danas’, Radomir Lazoviç, deputet i Ne Davimo Beogradit.

Zoran Vuletiç, presidenti i Forumit Demokratik, tha se Vulin është “i tronditur nga vizita e tij e fundit në Moskë”.

“Ministri i Jashtëm rus, Lavrov u tha qytetarëve të Serbisë se nuk duhet të shqetësohen, Vuçiç do të vazhdojë të bëjë politikë siç ka bërë deri më tani. Kjo do të thotë një politikë false pro-BE e diktuar nga Moska”, deklaroi Vuletiç.

Ai shton se Vulin është i angazhuar pa u maskuar, dhe krenar për shërbimin e tij ndaj Rusisë dhe se me këtë deklaratë ai po e shtyn drejtpërdrejt Vuçiçin në një ndërprerje formale të integrimit në BE.

“Do të jetë interesante të shihet nëse Vuçiç do të ketë sukses me mashtrimin e ri të Evropës duke mos pasur Vulin si pjesë të qeverisë së re. Për një zgjidhje të tillë duhet edhe pëlqimi i Putinit”, tha ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lidhjes së Socialdemokratëve, Aleksandar Marton, me një deklaratë me shkrim përfundon se “është turp që Vulin nga një post i lartë shtetëror ka mundësi të na distancojë çdo ditë nga bota moderne dhe normale”./Bota Sot


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu