Xhaferi në BDI nuk kishte konkurrent për kryeministër: Për LSDM-në dhe ASH-në i pranueshëm, VMRO dhe LEN me kritika

Talat Xhaferi ishte propozimi i vetëm në mbledhjen e BDI-së, tregon nënkryetari i kësaj partie, Bujar Osmani, duke shtuar se i vetmi diskutim që është bërë ka qenë nga një anëtar që ka kërkuar që posti i kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut të mbahet nga një femër.

Xhaferi në BDI nuk kishte konkurrent për kryeministër
“Absolutisht ka qenë unanim vendimi i kryesisë për Talat Xhaferin si kryeministër i parë shqiptar. Ajo çfarë është historike është thyerja e monopoleve etnike. Ju e dini kur Talat Xhaferi u zgjodh kryetar i Kuvendit për herë të parë në 2017tën pothuajse u bë një puç në Parlament. Kur u bë për së dyti nuk ishte më lajm përshkak se u thye një monopol u bë normalitet i ri që një shqiptar të jetë kryetar i Kuvendit.”- deklaroi Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Për vendimin, integristët menjëherë pas mbledhjes e kanë informuar edhe partnerin e koalicionit LSDM.
Por a është i pranueshëm Xhaferi për LSDM-në dhe kush do ta zëvendësojë atë si kryetar Kuvendi?

“Po, ne konsiderojmë se emri Talat Xhaferi është i duhuri dhe zgjidhje e mirë. Kryetari i partisë Dimitar Kovaçevski për të dielën ka caktuar mbledhje të udhëheqësisë së LSDM-së. Në këtë mbledhje nga ana e kryetarit Dimitar Kovaçevski pritet Jovan Mitreski të propozohet për kryetar i Kuvendit dhe i konfirmuar nga ana e udhëheqësisë dhe bordit ekzekutiv të LSDM-së.”- tha Daniela Markoska, deputete e LSDM-së.

Nominimi i Xhaferit është i pranueshëm edhe për Aleancën për Shqiptarët.

“Në parim ne nuk shohim asgjë të keqe për t’a mbështetur dhe përkrahur. Jo vetëm Talat Xhaferi por cilidoqoftë shqiptar që do të ishte, mendojmë se edhe kjo është një farë porosie dhe patjetër se do ta përkrahim. Nuk flasim për përfitim, flasim për simbolikë, sipas meje.”- tha Arben Taravari, kryetar i ASH.

Të pakënaqur me vendimin për nominimin e Xhaferit si kryeministër teknik është opozitarja VMRO-DPMNE.

“LSD po e tepron me dëmet që i’a shkakton Maqedonisë. Iku nga fshirja e projektit të turpshëm qeveri të Përzhinës që Talat Xhaferin ta vendosin kryeministër. LSD pasi e instaloi Dimitar Kovaçevskin pa zgjedhje, tani e instalojnë Talat Xhaferin për kryeministër dhe atë me vendim të Reçicës së Vogël. Kjo është arsyeja e vetme pse ende në Maqedoni ekziston projekt të turpshëm të quajtur qeveri të Përzhinës, dhe pse nuk ka ndryshim të modelit zgjedhor.”- pohoi Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Opozita shqiptare, Lidhja Europiane për Ndryshim, akuzoi se BDI ka qenë, është dhe do të mbetet e dështuar. Shtojnë se nga Naser Ziberi si kryeministër me kompetenca të plota, përfunduan me kryeministër Talat Xhaferin i cili do të ketë vetë kompetenca administratori.

“LEN patjetër se është pro që te ketë kryeministër shqiptar. Por kundër kryeministrit shqiptar janë vetë BDI, e cila mundësinë për të pasur kryeministër shqiptar e humbi katër vite më parë kur i mashtroi shqiptarët që ta votojnë Ziberin, ndërsa BDI e votoi për kryeministër Zaevin e më pas Kovaçevskin. Pse? Sepse BDI-së nuk i interesojnë pozitat e larta shtetërore për të punuar në interes të shqiptarëve dhe të shtetit, por vetëm për të manipuluar opinionin dhe për të vjedhur, e për të sjellë investitorë për kazino e bastore nga Serbia dhe Rusia.”- thanë nga Lidhja Europiane për Ndryshim.

Xhaferi pritet që postin e kryeministrit ta marrë më 28 janar 2024 për ta udhëhequr Qeverinë deri në formimin e përbërjes së re. Përndryshe ai do të futet në histori si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga BDI janë shprehur e monopoli që ka mbetur për t’u thyer është posti i Presidentit të vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu