Që nga e hëna kur Qeveria e Kosovës mori vendim për futjen në fuqi të masës së reciprocitetit ndaj targave të veturave që vijnë nga Serbia, krerë të këtij shteti kanë dërguar kërcënime të ndryshme ndaj Kosovës.
Së fundi ka pasur raportime se xhandarmeria serbe ka qarkulluar rreth kufirit në pjesën veriore të Kosovës.
Rreth këtyre kërcënimeve është deklaruar KFOR-i.
Në një përgjigje, misioni ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë KFOR-i ka bërë të ditur se nuk ka vend për shqetësim.
KFOR-i pohon se situata në veri është stabile.
“Situata e sigurisë është stabile. KFOR -i vazhdon të zhvillojë aktivitetet e tij në përputhje me mandatin e tij në OKB – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e vitit 1999, për të siguruar mbrojtje, siguri, dhe liri të lëvizjes në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjeje e KFOR-it.
Ndryshe, pakënaqësitë që dërguan në bllokimin e rrugës në Jarinjë nga ana e banorëve serbë, kanë ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që nga e hëna të mos lejohet hyrja e veturave më targa serbe nga Serbia për në Kosovë.
Ndërrimi i tabelave ka revoltuar serbët e Kosovës duke shkaktuar edhe bllokim të kësaj pike kufitare.









