Zaev për çështjen e emrit: Kemi arritur përparim për gjuhën dhe shtetësinë

Qëllimet kryesore në bisedimet për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë mbeten tek përdorimi i brendshëm i emrit të ri, konfirmoi kryeministri Zaev. Ai përsëriti qëndrimin se emri i ri duhet të jetë për përdorim të jashtëm pa pasur nevojë për ndryshim të Kushtetutës.

Ai shtoi se akoma nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare në këtë kontekst por se po shqyrtohen emrat e përbërë me përcaktues gjeografik.

“Nuk është zgjidhur shtrirja e përdorimit dhe nuk është zgjidhur përfundimisht emri për përdorim ndërkombëtar. Jemi shumë afër, që do të duhet të konfirmohet në pjesën e identitetit dhe në pjesën e shtetësisë dhe gjuhës. Përafërsisht mund të them se jemi para zgjidhjes për këto çështje. Çështjet tjera përgjithësisht janë shterur dhe këtu hapet çështja e irredentizmit. Me gjasë ajo që është akoma në tavolinë. Pala greke kërkon garancë por ne nuk kemi problem me këtë. Sigurisht duhet t’i gjejmë formulimet se nuk kemi pretendime territoriale, se nuk kemi synim ta cenojmë kufirin që na kufizon dhe se nuk kemi synim të përzihemi në trashëgiminë e Greqisë. Njëkohësisht as ata në trashëgiminë tonë”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Në një takim me gazetarët, Zaev siguroi se me zgjidhjen për emrin nuk cenohet identiteti, respektivisht gjuha maqedonase dhe se nuk ka dallime as për shtetësinë. Kjo e fundit do të jetë në pajtim me emrin e ri, Alsat M.

“Është çështje ndjenje dhe pala greke ka mirëkuptim për këtë çështje dhe është e radhës ta konfirmoj këtë, sepse është një nga momentet pozitive që janë paraqitur. Kryeministri Cipras dhe ministri Kocijas kanë mirëkuptim për identitetin”,tha Zaev.

Nga pikat më pak të rëndësishme të cilat janë zgjidhur tashmë janë: kodet dhe mos-përdorimi ekskluziv i termit “Maqedoni”. Gjithsesi Zaev theksoi se derisa të ekzistojë zgjidhje për të gjitha pikat e marrëveshjes eventuale, të gjitha çështjet e zgjidhura janë të përkohshme. Ndryshe negociatat për emrin do të vazhdojnë në nivel ministrash, më 3 dhe 4 maj në Selanik.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here