Zbulohet amaneti i fundit i Nexhmije Pagarushës

Trupi i pajetë i këngëtares Nexhmije Pagarusha është nxjerrë nga banesa e saj për t’u dërguar në morg, raporton Televizioni 7.

Familjarë të saj kanë treguar se “Këngëtarja e Shekullit” ka kërkuar që kur të vdesë, të varroset me ceremoni private, pa mbulimin e mediave. Amaneti i legjendës së muzikës shqipe ka qenë edhe që të varroset në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë të Malishevës.

Pagarusha vdiq sot në moshën 86-vjeçare. Trupi i saj do përcillet nesër për në banesën e fundit.

Nexhmija Pagarusha lindi më 7 maj të 1933-shit në Pagarushë, një fshat pranë Malishevës në Kosovë. Ajo përfundoi shkollën fillore në Malishevë, ndërkohë që më pas shkoi në Beograd për të vazhduar shkollën për këngë. Karrierën muzikore si këngëtare Pagarusha e nisi në vitin 1948 në Radion Prishtina.

Ajo ka pasur një karrierë artistike prej rreth 40 vitesh. Një ndër këngët më të dëgjuara të saj është “Baresha”, e cila u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi. Pagarusha i dha fund karrierës muzikore në një koncert në Sarajevë. Në vitin 2012, ajo mori nga Presidenti Bujar Nishani titullin “Nderi i Kombit”.

Ajo konsiderohej si një grua shumë e saktë. Gjatë kohës sa ishte nëpër turne nuk është vonuar kurrë, madje as në prova nuk vonohej asnjëherë.

Nexhmije Pagarusha gjatë gjithë karrierës së saj ka kënduar mbi 150 këngë. Bilbili i këngës shqipe është krahasuar me yjet më të mëdha botërore, sa sa ishte në shkollë në Beograd, madje atë e kanë krahasuar me zërin e rrallë francez Zhyliet Greko. Po ashtu profesorët e shkollës së muzikës kanë thënë se “është ofendim ta krahasojmë Nexhmije Pagarushën me ndonjë emër tjetër, sepse zëri i saj është i rrallë”.

Përveç muzikës ajo ka qenë edhe aktore. Ka luajtur në shumë filma dhe është cilësuar nga regjisorët si një aktore e përkryer. Ajo mbajti koncerte edhe në vende të ndryshme të botës, si në Irazel, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë etj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu