Bëri mjaft bujë në media një koment në Facebook i kunatit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që fliste me superlativa për kreun e mafies siçiliane Salvatore Riina, i cili u nda dje nga jeta. Por vetë Alban Berisha ka zbuluar se pas këtij mesazhi qëndron një person, identitetin e të cilit ai nuk e di, dhe që i ka vjedhur telefonin celular.
“Vdiq Toto Rina , njeri i nderit ! Respekte për këtë gjigand që kë qenë më tepër se një burrë shteti! Idhulli im, falë tij ndjehem thellë në shpirt një Korleonez ! Dy vjet ne Sicili për mua kanë qenë universitet, Universiteti i Nderit! Toto Rina msëuesi i jetës time! Zoti të bekoftë atje lartë në qiell o Njeriu i Nderit!”, – shkruhej në profilin në Facebook të Alban Berishës.
Kunati i Saimir Tahirit, ka sqaruar nga ka ardhur ky status. Alban Berisha ka shkruar përmes profilit të mikut të tij, duke njoftuar të gjithë se telefoni i tij është vjedhur, dhe se është duke u keqpërdorur nga personat në fjalë për të përhapur mesazhe të tilla.
Personi në fjalë është futur në Facebook-n e Alban Berishës përmes aplikacionit në telefon dhe siç ai bën të ditur, ka shpërndarë edhe statusin me përmbajtjen për Toto Riinën. Alban Berisha i bën thirrje personit që i ka marrë telefonin, që ta dorëzojë atë në polici.
“Ju lutem shumë kush e ka gjetur telefonin dhe po përdor në mënyrë të pandershme dhe të papërgjegjshme Facebook-un tim, ju lutem ta dorëzoni sa më parë në rajonin e Policisë më të afërt. Po më diskretitoni me këtë status që më keni bërë. Me respekt dhe mirënjohje, A.Berisha”, – shkruan ai.
Savatore Riina (Toto Riina) ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare si pasojë e sëmundjes së kancerit, në një spital në burg në Parma. Toto Riina është urdhëruar i mbi 150 vrasjeve, ku ndër më të bujshmet janë ato të gjykatësve, Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino. Sipas analistëve ishin pikërisht këto dy vrasje që shënuan fundin e bosit dhe perandorisë së tij mafioze. Riina u burgos në vitin 1993 ku vuante 26 dënime me burg të përjetshëm.










