Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, 43,8 për qind pjesëmarrja deri në orën 17:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon me publikimin e të dhënave rreth pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Sipas uebfaqes së këtij institucioni nga raportimet e 2.313 qendrave të votimit nga 5.199 gjithsej, pjesëmarrja deri në orën 17:00 në rang vendi është 43,8 për qind.

Ne një deklaratë për mediat në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ theksoi situata vijon të jetë e qetë. Sipas këtij institucioni, nuk ka patur konflikte që mund ta vendosin në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor.

Procesi i votimit për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ka filluar në orën 07:00 dhe ai zyrtarisht pritet të përfundojë në orën 19:00.

Në këto zgjedhje, sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë.

Janë regjistruar dy koalicione zgjedhore, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike.

Gjithashtu 10 parti politike garojnë më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe 5 kandidatë të propozuar nga zgjedhësit në disa qytete.

Risia e këtyre zgjedhjeve është procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që do të aplikohet si projekt pilot në një nga zonat zgjedhore në Tiranë, si dhe konkurrimi i disa partive të reja.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu