Zhdukja e gazetarit, Presidenti Trump e kërcënon Arabinë Saudite me 110 miliardë dollarët

Arabia Saudite po përballet me presione të fuqishme pas zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Gazetari hyri më 2 tetor në konsullatën e Arabisë në Stamboll dhe nuk doli më prej andej. Autoritetet turke dyshojnë se Khashoggi është vrarë brenda ambienteve të konsulatës, por autoritetet saudite e mohojnë diçka të tillë.

Ndërkohë që hetimet vijojnë, biznesmen të fuqishëm nga e gjithë bota po tërhiqen nga bashkëpunimet me Riadin.

Miliarderi britanik Richard Branson tha se do të ndërpresë marrëdhëniet e biznesit me qeverinë saudite për shkak të zhdukjes së Khashoggi. Branson dhe grupi i tij Virgin kanë pezulluar bisedimet me Arabinë Saudite për një investim prej një miliard dollarësh në kompanitë hapësinore të Virgin. Ai tha gjithashtu se do të largohet nga roli i tij si drejtor i dy projekteve turistike saudite.

“Nëse vërtetohen ato që thuhen se ka ndodhur në Turqi rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, atëherë kjo do të ndryshonte qartë aftësinë e cilitdo prej nesh në Perëndim për të bërë biznes me qeverinë saudite”, tha Branson.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i kompanisë Uber, Dara Khosrowshahi, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në konferencën Iniciativa e Investimeve në të Ardhmen (Future Investment Initiative-FII) që do të organizohet më 23-25 tetor në Rijad të Arabisë Saudite nën kujdesin e princit Mohammed bin Salman.

Më herët, sponsorizimin mediatik në këtë konferencë e kanë tërhequr edhe gazetat prestigjioze amerikane New York Times, Huffington Post dhe Los Angeles Times.

Edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ai kërcënoi Arabinë Saudite se do të pezullojë marrëveshjen e armëve prej 110 miliardë dollarësh.

Jamal Khashoggi është gazetar kritik i qeverisë saudite dhe princit Salman. Ai ka drejtuar gazeta të rëndësishme në Arabinë Saudite dhe së fundmi ishte opinionist në Washington Post.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu